Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për ndarjen e bursave të studentëve për vitin akademik 2019/20.
Drejtues të Universitetit thanë se të gjithë studentët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs do të përfitojnë dhe se këtë vit ka rritje të shumës se bursës. Studentët e kanë mirëpritur vendimin për rritjen e shumës së bursave.
Është hapur konkursi për përfitimin e bursave për studentët e Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”. Prorektorja e UP, Myrvete Badiviku, tha për Radio Kosovën se të gjithë studentët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs kanë të drejtë aplikimi.
“ Javën e kaluar Këshilli Drejtues ka mbajtur mbledhjen dhe në këtë mbledhje është marrë vendim për shpalljen e konkursit për bursa për studentet e Universitetit të Prishtinës për vitin akademik 2019/20. Konkursi është shpallë dhe bashkë më konkursin edhe të gjitha kriteret e nevojshme që studentet duhet me i plotësua për të aplikuar për bursa.”
Badiviku tha po ashtu se është rritur edhe shuma e bursës të cilën do ta përfitojnë studentët që i plotësojnë kriteret e parapara.
Në mbledhjen e fundit Këshilli Drejtues mori vendim që vlera e bursës të rritet nga gjashtëqind euro në gjashtëqind e pesëdhjetë, ka sqaruar ajo.
Valmir Rama, nga Organizata “Paqja Studentore”, i tha Radio Kosovës se vendimin për rritjen e shumës së bursës e kanë mirëpritur studentët, pasi që kjo ka qenë kërkesë e tyre.
Afati i aplikimit të studentëve për përfitimin e bursës është deri me datën 10 dhjetor 2019.