Organizata studentore “Reforma” zhvilloi një aktivitet simbolik, në kohën kur u mbajt mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së dhe ku u rishqyrtuar vendimi për bursat e studentëve.
Studentët e Fakultetit të Arteve nga Departamenti i Muzikës përmes performanës muzikore shprehen pakënaqësitë e tyre, raporton Ekonomia Online.
Shkumbin Bytyqi, kryetar i Organizatës Studentore “Reforma”, tha se nëse këshilli nuk vendos që të rriten bursat atëherë me anë të protestave do të bëjnë rrëzimin e këtij mekanizmi të UP-së.
“Ne kërkojmë që vendimi të kthehet në rishqyrtim dhe të rritet bursa studentore. Sot Këshilli do të mbajë mbledhje dhe ne kërkojmë që ta shqyrtojnë kërkesën tonë për rritje të bursës studentore. Në rast se Këshilli nuk merr vendim që bursa të rritet ne do të kërkojmë që ky Këshill të shkarkohet. Studentët e Arteve të bukura nga departamenti i muzikës do të performojnë”, tha ai.
“Reforma” ka organizuar edhe aktivitet të tjera në kundërshtim të uljes së bursës. UP ka marrë vendim që bursat që ndahen për studentët e dalluar të zvogëlohen nga 600 në 500 euro. Më herët, kjo shumë ishte zvogëluar nga 900 në 600.
Ditë më parë kryeministri, Ramush Haradinaj tha se nuk do të ketë zvogëlim të shumës së bursave, të cilat i ndanë Universiteti i Prishtinës.