Studentët ta tregojnë qejfin!

Prishtinë | 09 Dhj 2018 | 22:11 | Nga Kimete Berisha

1. Medicina ia ka ngjit emrin asaj gjendjes psikike kur njeriut i duhet ndonjë organ i veti më i madh seç është. E lumja hunda gjithmonë ka tendenca m’u tu duk ma e madhe se që është.
Se e rrit urrejtja që kemi ndaj saj, mos na shtift Zoti n’gjynah.

Keni dëgju kur themi ‘m’u ka ba kryt sa shpija’, ajo është tjetër gjendje, veç m’u tu duk krejt më të vegjël se vetja, mos provo Zot.

E njoh atë farë ndjenje, e nxa veten rrallë najher tuj tentu m’u ndi ma ‘dikushi’ se bashkëfolësi, për shembull unë e kam pa filmin ‘Viva Zapata’ e ai s’e ka pa…t’shtinë do sende m’u fry, ama i rri vetes gati…
Bishtin duhet me ulë gjithkush që ia do vetes t’mirën.

2. Edi Rama ka kujtu se tuj i mohu njerëzit i bën inferiorë, e kur i bën inferiorë i mundë pastaj kollaj me mesele.

Kur bubrrecat bahen bashkë ta nxijnë jetën, thonë njëherë kur janë bë bashkë bubrrecat, e kanë shkatërru një civilizim, kurse Marlon Brando te ‘Tango e fundit në Paris’ i ka pas thënë Maria Schneider se ‘në Paris ka më shumë minj se njerëz’.

Kur kazanat bëhen bashkë ta djegin çorbën, kjo është e thjeshtë si pasuli. Bile n’fëmijëri tonën kazani ka pas bira, e kur shanin fmija, e përdorin kazanin si objekt sharje: ‘Sa bira i ka kazani, ta……….Sandokani’.
Kurrë askush nuk e ka ditë sa bira i ka kazani. Por e kemi ditur sa galant ka qenë Sandokani dhe sa i pamëshirshëm me armikun.

Njerëzit m’i nguc s’bën se nuk ta harrojnë, nuk ta falin, t’rrejnë kishe po ta falin po s’ta falin, zemra s’fal. E dashnia s’të lë me gabu.
Kush don përnjëmend- nuk gabon.

E sa për me të keq, fshije. Fjala e keqe ta kthen nanën tande kundër, jo njerin e huj.

Edi Rama kështu me arrogancë e me mendjemadhësi po i trajton edhe studentët që janë çu n’protestë. Po mundohet t’ua ulë kokën duke i quajtur ‘ngelsa’. Por po gabon shumë, se rinia nuk ngutet të rritet, as nuk ngutet të mbërrijë në kohë, a para kohe, sepse ka shumë kohë. Prandaj, të flasësh për të rinjtë me kohën e plakut, gabon shumë.

Protestat te ne shqiptarët munden me kapitullu shumë lehtë, se ne dalim për një arsye e na dalin njëqind tjera për me protestu, se s’ka arsye që nuk e kemi me protestu.

Na e keni nxi jetën. Për vete keni shpija e villa e miliona kurse tallet Edi Rama me bibliotekën e studentëve, ju thotë jo anen jo knej, se nuk ju duhet juve biblioteka e ngrohtë po ju duhet juve profesorat me qenë origjinal.

Studenti nuk e krijon profesorin, çka ka punë studenti me profesorin, me verifiku a është falls a i vërtetë.
Po t’lypin kushte, jepjau kushtet e mos ju tego atyre çka duhet me dasht, apo pse ata duan gjëra të gabuara sipas teje. Kush je ti me ua redaktu kërkesat.

Lindita Nikolla për mua është e poshtër dhe e rrezikshme prej kohës kur doli lajmi se në një shkollë në Shkodër do serbë vijojnë mësimin me portretin e Sllobodan Millosheviçit në klasë.

Mënyra qysh qesh Edi Rama, po m’shtin me marrë pushim e m’e ju bashkangjit protestuesve.

Protestuesve u uroj të çarten. Ata janë pasqyra reale e Shqipërisë, njerëz të varfër, që mezi mbijetojnë, e jo si Elvana e këto shoqërueset e mafisë (të cilat media i imponon si modele të shoqërisë) që edhe brekët i blejnë Fendi, për t’i kombinuar me fena.

3. Edi Rama as Ramushin nuk e puthi si njeri. Po e shqetësoj njerin, ja puthi kapakun e kresë që s’ka kush që s’e ka mërzi me e puth n’kry.
Bile nuk ia puthi këmbët si gruaja e Damian Gjiknurit, budallica ish ulë n’dy gjunjtë, e ia kish puth këmbët një sehirbazi indian. Marrja e Zotit.

Burri i saj ministër i energjisë, ama energiinë zoja e merr prej gishtave të këmbëve t’sehirbazit indian.
Se, me pas qenë ajo shqiptare e Kosovës s’kish pas çka kthehet ma n’shpi mbas atij gjesti.
Po Shqipëria ish parajsë për puthëset e këmbëve.

Do gra shqiptare me ti shti ethet; edhe gruaja e Ardit Gjebresë ‘veç me Krishtin po mbajke korrespodenca’ të rregullta.

4. Ne të Kosovës ende e shprehim dashurinë me marifet dhe besa në raste festash me ëmbëlsi. Ende na rreh neve një damar i Renesancës.

A ka ma mirë: Vlorat e Kosovës janë ba bashkë e kanë shku në Vlorë; Valbonat janë shku në Valbonë; Afërdita u kthy përsëri në fshat; Helena ‘shyqyr’ s’kemi; Miradijet janë ba bashkë me shku n’Miradi t’Epërme; kurse Hanat e Kosovës po kqyrin m’u bë bashkë e me shku n’Hanë.

Si na më që dimë m’i dhënë jetës kuptim, s’dinë kush. Na lumtë.

5. Veç ndoshta është gjynah Remi që po e çojnë në atë ndërtesë t’mbulume me therra, prej xhenetit a shkohet aty.

S’di pse po gëzoheni që po i merr Specialja, veç pse veç thitë mangut i kanë. Me pas qenë komandantat e varfër po besoj na u kishin dhimbt.

Po pasunija neve na krijon neveri; s’mundesh ti me qenë edhe shqiptar, edhe i pasur, edhe i moralshëm. Nuk ka mundësi o shoq.
Romuli e ka vra Remin, ky fakt nuk ndryshohet.

P.S. Bile keni ku ktheheni. Se, është edhe një këngë boshnjake që flet për fundin, si në viijim:
‘Të gjithë shkojnë dikund, veç unë s’kam
ku’.

E studentët e Kosovës njëherë përnjëherë s’kanë asnjë arsye me protestu, se mirë o puna, biblioteka e nxehtë, heshtjen s’ua prish kush; nuk i provokon kush me ju thënë ngelsa.
Bile e ke përshtypjen që s’ka hiç studentë Prishtina, aq fort i kanë kushtet e mira e të lumtur që janë, s’kanë arsye as gojën me çel me prishë qetësinë.

Kurrë asnjë studenti të Kosovës nuk i dëgjohet zani për asnjë problem.
Mashallah, po t’urtë.

Të ngjashme