Studentët e Fakultetit të Infermierisë në UBT, nga tash mund të fillojnë praktikën nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare të Komunës së Prishtinës, falë bashkëpunimit të realizuar mes UBT-së dhe Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, të komunës së Prishtinës.
Me këtë rast, sekretari i UBT-së, Artan Tahiri tha se për këtë institucion është shumë e rëndësishme që studentët të zhvillojnë aftësi teorike dhe praktike.
Sipas tij, këto dy institucione do të vendosin një bashkëpunim të ngushtë në shëndetësi dhe në mirëqenie sociale, në veçanti për potencialet e përbashkëta në fushat e reja dhe inovative.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale në komunën e Prishtinës, Arben Vitia tha se ata janë të interesuar për të bashkëpunuar me UBT-në si dhe shkëmbimin e përvojave për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët e Kosovës.
“Gërshetimi i teorisë dhe praktikës për studentët është rezultat pozitiv dhe ne jemi të përkushtuar që të krijojmë mundësi të shumta për studentët e UBT-së “, theksoi ai.
UBT në vazhdimësi është duke krijuar marrëveshje bashkëpunimi me institucione të ndryshme vendore për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës.