Studimet zbulojnë që migrena lidhet me sëmundjet e zemrës

Prishtinë | 11 Kor 2023 | 19:40 | Nga Ekonomia Online

Nëse jeni duke vuajtur nga migrena, mos e neglizhoni atë sepse mund të jetë shenjë se keni probleme me zemrën. Këto janë rezultatet e një studimi afatgjatë, i cili ka përfshirë më shumë se gjysmë milioni njerëz.

Studimi u publikua në British Medical Journal, ku theksohet se këto probleme shkaktojnë sulm zemër dhe goditje në tru, mpiksje të gjakut dhe funksionim të çrregullt të zemrës.

Ky studim i gjerë dhe relevant sugjeron se migrena është definitivisht e lidhur me sëmundjet kardiovaskulare dhe se ky është shkaku më i zakonshëm i vdekjes së njerëzve, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre vuajnë nga migrena.

Studiuesit danezë dhe amerikanë kryen hulumtime gjatë periudhës nga viti 1995 deri në vitin 2013, transmeton Koha.net. Më shumë se 500.000 persona nuk kishin probleme me migrenën, ndërsa tek 51.000 pacientë është raportuar se kishin.

Hulumtimet kanë treguar se më së shumti femrat kanë probleme me migrenën, rreth 70 për qind, dhe se mosha e tyre mesatare ishte 35 vjet.

“Studimi konfirmoi se migrena duhet të konsiderohet shkak i fuqishëm dhe më i zakonshëm i sëmundjeve të zemrës fillimisht tek femrat, dhe pastaj tek meshkujt. Arsyeja për këtë është përqindja e lartë e vdekshmërisë nga sëmundje kardiovaskulare tek personat me migrenë” thanë shkencëtarët.

Duke qenë se ky hulumtim është bazuar kryesisht në vëzhgim, shkaqet e sakta dhe lidhja e këtyre dy sëmundjeve nuk janë përcaktuar ende.

Migrena ka simptoma më të rënda sesa kokëdhimbjet e zakonshme dhe dhimbja është jashtëzakonisht e fortë. Ajo shoqërohet rregullisht me të përziera, të vjella, lodhje trupore dhe ndjeshmëri ndaj dritës dhe zhurmës. Kohëzgjatja e saj është individuale, tek disa njerëz dhimbja kalon për disa orë, ndërsa tek disa të tjerë ajo zgjat edhe nga tre ditë.

Besohet se në baza vjetore në Britani të Madhe 8.5 milionë persona vuajnë nga migrena, që është më shumë se numri i njerëzve që kanë diabet, astmë dhe epilepsi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme