Subvencionet për efiçiencë të energjisë – Kurti: Janë mbështetur mbi 9 mijë familje, për herë të parë nënat vetushqyese

Prishtinë | 18 Gus 2023 | 11:47 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Ekonomisë ka mbajtur ceremoninë e lansimit të “Thirrjes publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar”, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kjo përveçse do të mundësojë uljen e kostove financiare, do ta bëjë edhe reduktimin e emetimit të gazrave serrë.

Ai ka thënë se programi i efiçienës ndikon edhe në aspektin ambiental dhe është kursimtar për buxhetin familjar, duke shtuar se janë mbështetur mbi 9 mijë familje e për herë të parë nënat vetushqyese.

“Në vendin tonë intensiteti energjetik është tri herë më i lartë se sa shtetet anëtare të BE-së, ky numër duhet të ulet dukshëm andaj fokusi nuk është vetëm rritja e kapacitetet prodhuese, por edhe në rritjen e efiçiencës së energjisë. Përveç që ndikon në uljen e kostove financiare, ndikon në reduktimin e emetimit të gazrave serrë”.

“Përmes masave tona kemi mbështetur mbi 9 mijë familje, duke ua subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente në ngrohje. Për herë të parë në vendin tonë u kemi dhënë përkrahje nënave vetushqyese”, ka theksuar ai.

Artane Rizvanolli, ministra e Ekonomisë tha se programi i subvencioneve pak vlerën e 15 milionë eurove, ku do të përfitojnë 20 mijë qytetarë.

“Po fillojmë zbatimin e thirrjes më të re të përkrahjes së qytetarëve për efiçiencëc të energjisë. Këtë vit Ministria e Ekonomisë do të zbatojë programin e efiçiencës i cili kap shifrën 15 milionë euro dhe përfshinë për familje 10 milionë euro për pajisjet ngrohëse efiçiente, pajisje shtëpiake efiqente, sisteme solare për ngrohjen e ujit si dhe sistemet solare… përmes së cilës synojmë të përfitojnë se paku 20 mijë qytetar”.

“Sot po e lansojmë dy thirrjet e para për pajisje shtëpiake rrobalarëse, enëlarëse dhe frigorifer dhe sisteme diellore për ngrohej  e ujti ndërsa me të tjerat do te vazhdojmë gjatë javëve në vijim”, tha ajo.

Përfaqësuesi i BE-së, Alessandro Bianciardi, poashtu u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë për t’i fituar këto subvencione, raporton EO.

“Do t’i inkuarojë qytetarët që të adoptojnë këto masa dhe benfiitet janë të shumëfishta jo vetëm nga kursimi financiar po do të ndikojnë edhe për një shëndet më të mirë. Jemi të përkushtuar për të mbështetur Kosovën për një energji të pastër”, tha Buanciardi.

Më poshtë, fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Ministre Rizvanolli,

I nderuari deputet Hyseni,

I nderuari Z. Biancardi, përfaqësues i Zyrës së BE-së,

Të nderuara medie, të dashur qytetarë,

Zonja dhe zotërinj,

Se sektori i energjisë është kyç për qeverinë tonë e kemi dëshmuar duke filluar e fituar disa ndër projektet më të mëdha e më inovative që i kemi pasur në vend. Këtu padyshim bën pjesë edhe skema e parë konkurruese për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese, ndërtimin e kapaciteteve akumuluese të energjisë, ngrohje qendrore diellore, e investim në rehabilitim të kapaciteteve tona ekzistuese, ndër të tjera.

Në vendin tonë, intensiteti energjetik është rreth tre herë më i lartë sesa në krahasim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo nënkupton se për të prodhuar një njësi të Bruto Produktit Vendor (GDP-së), ne shpenzojmë tre herë më shumë energji. Ky numër duhet të ulet dukshëm.

Andaj, fokusi ynë nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese. Ne paralelisht jemi duke bërë punë edhe në rritje të efiçiencës së energjisë. E kjo nuk është veç ulje e konsumit. Efiçienca e energjisë përveçse ndikon në uljen e kostove financiare për familjet dhe ekonominë tonë, ajo gjithashtu ndikon në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe uljen e importit të energjisë elektrike. Pra: mjedis më të shëndetshëm për të gjithë, dhe kursim të buxhetit të shtetit, që është i të gjithëve.

Këtë qëllim e ndajmë me miqtë e partnerët tanë të cilët kanë ndarë 75 milionë euro për Republikën e Kosovës në përballje me pasojat e krizës energjetike evropiane. Kjo pako ka vlerën më të lartë për kokë banori në rajon. Gjatë vizitës së saj të fundit, në tetor të vitit të kaluar, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka bërë publike këtë mbështetje e falë kësaj mbështetje, gjatë këtij viti kemi filluar që t’i jetësojmë synimet tona të përbashkëta.

Që atëherë, në prill të këtij viti është lansuar masa e investimit në Efiçiencë të Energjisë për ndërtesat e banimit social e cila zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Një javë më parë është lansuar thirrja e dytë e Fondit për subvencionim të qytetarëve për investimet e tyre në efiçiencë të energjisë për shtëpitë e tyre. Kjo thirrje është ende e hapur dhe synon t’i përkrahë rreth 2.000 familje.

Ndërkaq, sot po lansojmë masën e tretë me radhë – subvencionimin e pajisjeve shtëpiake për familje me fokus në përkrahjen e qytetarëve në mbështetje të asistencës sociale dhe të prindërve vetëushqyes.

Këto masa vijnë si vazhdimësi e punës që kemi bërë si Qeveri për të rritur investimet në efiçiencë të energjisë krahas punës që kemi bërë për vendosje të objektivave ambicioze në Strategjinë tonë të Energjisë.

Vitin e kaluar Ministria e Ekonomisë ka ndërtuar suksesshëm skemën e parë të institucioneve publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për familje të vendit. Përmes masave tona kemi mbështetur mbi 9.000 familje duke ua subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë muajve të dimrit. Kësisoj, kemi mbështetur në veçanti përfituesit e asistencës sociale, si dhe për herë të parë në vendin tonë, u kemi dhënë mbështetje të veçantë nënave vetëushqyese. Skema e subvencionimit të pajisjeve efiçiente ka rezultuar aq e suksesshme saqë kemi arritur që ta trefishojmë buxhetin për këtë vit.

Për më tepër, për të nxitur kursimin e energjisë e për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, me mbi 120 milionë eurot e ndara kemi subvencionuar direkt faturat e energjisë elektrike për 208 mijë familje kursimtare dhe njëkohësisht kemi subvencionuar tarifat e reja për secilën familje dhe biznes në vend që nga shkurti i vitit 2022.

Me rreth 9 milionë euro, kemi renovuar e bërë efiçiente 70 ndërtesa publike: shkolla, çerdhe të fëmijëve, qendra shëndetësore e stacione të zjarrfikësve. Duke ua rritur kështu komforin e duke e ulur konsumin e energjisë.

Kjo skemë që po lansojmë sot, nuk do të jetë e fundit. Me këtë sot, e ato që do t’i prezantojmë në javët në vijim, do të mbështesim edhe 20 mijë familje, e do të rrisim edhe më tej efiçiencën e energjisë në vendin tonë.

I jam mirënjohës Ministrisë së Ekonomisë dhe ministres Rizvanolli që në mënyrë kaq metodike po e formësojnë sigurinë tonë energjetike.

Ju faleminderit.

Të ngjashme