Ushtria suedeze tha të enjten se do t’i shtojë aktivitetet e dukshme në ishullin e Detit Baltik, Gotland, për shkak të tensioneve të rritura mes NATO-s dhe Rusisë për Ukrainën.
Ishulli më i madh suedez, Gotland, është i rëndësishëm në aspektin strategjik dhe shtrihet vetëm rreth 330 kilometra nga Kaliningradi, ku ndodhet selia qendrore e Flotës së Baltikut të ushtrisë ruse. Më 2019, Suedia vendosi në këtë sihull një sistem të përditësuar të mbrojtjes tokë – ajër.
“Nga sot, do të kemi patrullime jashtë, të cilat do të jenë të dukshme në vende të caktuara, përfshirë qytetin Visby”, tha zëdhënësi i regjimentit të Gotland-it, Tomas Angshammar.
Suedia nuk është anëtare e NATO-s, por ka marrëdhënie të ngushta me aleancën dhe e ka përforcuar ushtrinë pas disa dekadave neglizhencë në kohën e shtimit të ankthit rreth paraqitjes së forcës nga Rusia në rajonin e Detit Baltik.
Stokholmi vjetëve të fundit është ankuar rreth disa incidenteve me aeroplanë ushtarakë rusë, përfshirë shkeljen e hapësirës ajrore të Suedisë, shkruan Reuters.
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë suedeze tha javën e kaluar se strategjia e sigurisë e vendit të tij do të minohej tërësisht, nëse NATO-ja pajtohet që të përmbahet nga zgjerimi i mëtejmë dhe t’i pakësojë disa nga aktivitetet në Evropë, siç ka kërkuar Rusia.