Të dhënat e 500 milionë konsumatorëve të rrjetit të hoteleve, Marriot International janë përfshirë në një sulm të të dhënave.
Në njoftimin e së premtes është bërë e ditur se databaza e njërit prej hoteleve të këtij rrjeti, Starwood është komprometuar nga një palë e paautorizuar.
Po ashtu është bërë e ditur se një hetim i brendshëm ka gjetur se sulmuesi ka pasur qasje në të dhënat e Starwood nga viti 2014.
Kompania ka thënë se do të njoftojë konsumatorët, të dhënat e të cilëve kanë qenë në databazë.
Hotelet që janë pjesë e rrjetit Marriot përdorin një sistem të veçantë për rezervime.
Sipas këtij rrjeti, për afro 327 milionë mysafirë, sulmuesi ka pasur qasje në të dhënat e tyre përfshirë: emrin, adresën elektronike, numrin e telefonit, numrin e pasaportës, gjininë moshën dhe datën e arritjes dhe largimit nga hoteli.
Mirëpo konsumatorëve tjerë dyshohet se u janë marrë edhe të dhënat e kartelave me të cilat kanë kryer pagesat.
“Na vjen shumë keq që ka ndodhur ky incident”, ka thënë kompania në një deklaratë.
“Marriot ka raportuar këtë incident tek autoritetet për zbatim të ligjit dhe vazhdon të përcjellë hetimin. Kompania tashmë ka filluar të njoftojë autoritetet rregullative”, ka thënë ndër të tjera Marriot.