Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se e ka bindur homologun e tij të SHBA-së, Donald Trump, që të mos tërheqë trupat nga Siria dhe në vend të kësaj të angazhohen “për një kohë të gjatë”.
Më herët gjatë këtij muaji, Trump deklaroi se SHBA do të “dalin shumë shpejt nga Siria”. Të shtunën, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca goditën me raketa 3 qytete siriane në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik në Douma, rreth një javë më parë. Siria ka mohuar përdorimin e agjentëve kimikë dhe thotë se sulmi u fabrikua nga rebelët.
Macron tha se ai gjithashtu e kishte bindur z. Trump për të të kryer sulme të kufizuara.
Dy presidentët, të cilët raportohet të kenë një marrëdhënie miqësore, folën shumë herë gjatë ditëve përpara se të ndërmerrej veprimi ushtarak. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, pas komenteve të Macron, tha: “Misioni i SHBA nuk ka ndryshuar – presidenti ka qenë i qartë se ai dëshiron që forcat amerikane të vijnë në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Por ajo shtoi se SHBA ishte “e vendosur të shkatërronte plotësisht “grupin e Shtetit Islamik” dhe të parandalonte rikthimin e tij. Duke njoftuar sulmet të premten mbrëma në Uashington, Trump këmbënguli: “Amerika nuk kërkon një prani të pacaktuar në Siri, në asnjë rrethanë”. SHBA ka rreth 2.000 persona në terren në Sirinë lindore në mbështetje të aleancës së forcave kurde dhe atyre arabe të quajtura Forcat Demokratike të Sirisë (SDF).