Presidenti i Republikës, Ilir Meta dënoi sulmin me armë të kryer ndaj banesës së prindërve të gazetares së mirënjohur investigative, Klodiana Lala.
Në njoftimin për shtyp të Presidencës thuhet se, “edhe përmes një bisede telefonike ku shprehu solidaritet të plotë me gazetaren Lala, dy vajzat e saj të mitura dhe prindërit e saj, Presidenti Meta e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush”.
“Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj. Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, nënvizon Presidenti Meta.