Aleksandër Vuçiq qëndron prapa grupit terrorist në veri të Republikës së Kosovës.
Ky konstatim është i bazuar në fakte konkrete dhe të pamohueshme, përkundër përpjekjeve të kota të Vuçiqit për shfajësim.
Disa nga to tashmë dihen. Kurse, disa të tjera do të merren vesh në të ardhmen.
“Para fakteve edhe perënditë heshtin”. Por, jo edhe Aleksandër Vuçiq.
Ishin për mjerim përpjekjet e Vuçiqit në konferencën për media për të shfajësuar shtetin serb, rrjedhimisht veten. Banale ishin arsyetimet e “vajtimet” për gjendjen e qytetarëve serbë në veri të Kosovës. Gjithashtu, të turpshme ishin edhe arsyetimet për vrasjen e rreshterit të policisë, Afrim Bunjaku.
Krahas Vuçiqit, ka tendencë në disa media serbe, që për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës fajin t’ua ngarkojnë strukturave, shërbimeve, shefit të shërbimit sekret serb, Aleksandër Vulin, ministrit të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq dhe grupeve të fuqishme kriminale në veri në krye me Milan Radojçiq, i shpallur person “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Megjithatë, edhe kjo tendencë bie përtokë. Jo se të lartpërmendurit nuk kanë gisht në këtë punë. Por, për faktin se Vuçiq është i gjithëpushtetshmi në Serbi.
Ai ushtron kontroll të plotë ndaj institucioneve shtetërore serbe, si dhe ndaj qytetarëve serbë në Kosovë nëpërmjet Listës serbe, dhe jo vetëm.
Për rrjedhojë, Vuçiq e ka bashkëpunëtor të ngushtë të parin e shërbimit sekret serb, Aleksandër Vulinin. Ka vite që publikisht mbron krerët e mafias në veri të Kosovës, Milan Radojçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin.
Dhe, pa mbështetjen e Vuçiqit, vështirë se grupet kriminale serbe në veri do të ishin po kaq të fuqishme.
Po ashtu, Vuçiq vazhdon të mbajë lidhje të ngushta me Rusinë.
Grupi i armatosur në veri ishte pjesë e një plani të organizuar për kryengritje të armatosur në të gjitha komunat veriore, kryesisht në fshtrat që kanë popullatë radikale serbe.
Ky grup është stërvitur në Rashkë, konrtetisht në disa reparte ushtarake të Serbisë dhe për këtë ka qenë në dijeni drejtori i BIA-së, Aleksandër Vulin.
Shumica e pjesëtarëve të grupit janë nga Leposaviqi dhe Zveçani, të cilët janë paguar edhe nga komunat paralele në Kosovë si pjesëtarë të mbrojtjes civile.
Pothuajse të gjithë këta kanë marrë pjesë në dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj 2023.
Përgjegjës për financimin, stërvitjet dhe hyrjen në Kosovë është Milan Radojçiq. Për aktivitetin e tij janë në dijeni të gjitha struktutrat e Serbisë. Megjithatë, Stefan Paviçeviq është kryesori i mbrojtjes civile. Por, Radojçiq e ka marrë komandën e tyre dhe po synon t’i kthejë në një strukturë paraushtarake për të destabilizuar veriun e Kosovës. Në këtë drejtim Radojçiq, e ka përkrhajen e politikës së lartë në Beograd, përfshirë Vuçiqin.
Kështu që, si përmbledhje e gjithë kësaj është normale të vlerësohet se aksioni terrorist në veri të Kosovës nuk ishte përgatitur brenda pak ditësh.
Municioni, armatimi, pusia e ngritur nga terroristët, ikja e tyre në manastir me tendencë për të shkaktuar gjakderdhje duke i marrë peng besimtarët civilë, janë shenja të qarta për një aksion të përgatitur me ndihmën e udhëheqësve të strukturave të shtetit serb, përfshirë presidentin Vuçiq.
Pasi që disa nga terroristët sulmues kanë arritur të ikin në Serbi, Kosova duhet të insistojë që ata të esktradohen në Kosovë ose të ballafaqohen me ligjin në Serbi (ka pak gjasa që kjo të ndodhë). Është e drejtë legjitime e Kosovës të kërkojë ndëshkimin e terroristëve, siç i quajti edhe Bashkimi Evropian.
Marrë parasysh qëndrimin e Vuçiqit pas sulmit terrorist, si dhe gjendjen e tensionuar në veri, roli destruktiv i Serbisë ndaj Kosovës nuk ka marrë fund. Përkundrazi, ekziston rreziku real që gjendja të përshkallëzohet, siç paralajmëroi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier. Prandaj, Qeveria e Kosovës para vetës ka vetëm një rrugë: për çdo veprim të koordinohet me faktorët relevantë ndërkombëtarë.