Ilir Tolaj, ish-sekretar i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, është sulmuar fizikisht, pas një zënke në trafik.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 13:50 në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.
Ambulanca ka ardhur dhe e ka marrë Tolajn, i cili është përgjakur, pasi është sulmuar me një send të fortë, raporton Ekonomia Online.
Dëshmitarë thanë për EO se sulmues është reperi i njohur “Don Arbas”.
Tolaj i vetëm në veturë dhe Don Arbas i shoqëruar me dy persona të tjerë kishin “ngecur” në rrugën e njohur për frekuentimin e madh, pasi në këtë vend ndodhen shumë kafeteri.
“Për një moment, Don Arbas me shokët e tij kanë dalë nga vetura e tyre dhe kanë shkuar te vetura e Tolajt. Njëri nga ta e ka goditur disa herë në kokë me ‘shtagën’ të cilën e mbante pasi duket se kishte një lëndim në këmbë”, tregoi dëshmitari, i cili nuk deshi t’i publikohej emri.
Por, ky dëshmitar ishte i gatshëm të jepte dëshminë e tij për policinë, e cila doli shumë shpejt në vend të ngjarjes. Së paku një person është arrestuar.
Sikur shihet dhe në fotografitë e Ekonomia Online, vetura e Tolajt ka mbetur për pak kohë në vend të ngjarjes.
Policia e Kosovës, nëpërmes një komunikate shtypi, ka konfirmuar se ka shoqëruar në stacion policor dy persona të dyshuar, ndaj të cilëve në koordinim me prokurorin e shtetit po kryhen veprimet e fazës fillestare hetimore.
Lexo me shume: http://rtv21.tv/policia-jep-detaje-per-sulmin-ndaj-ilir-tolajt/
© RTV21.tv