Sulmuesi në Paris, i njohur për Policinë

Prishtinë | 21 Pri 2017 | 10:34 | Nga

Sulmuesi që qëlloi për vdekje një polic në Paris të enjten mbrëma, është identifikuar nga dokumentet që i kishte lënë në veturën e tij, kanë thënë zyrtarët francezë por ende nuk kanë publikuar emrin e tij.

Mediat lokale kanë raportuar se sulmuesi është një 39-vjeçar, që ka jetuar në periferi të Parisit dhe është parë potencialisht si radikal islamik, raporton BBC.

Autoritetet franceze kanë arrestuar tre anëtarë të famijes së sulmuesit, raporton agjencia Reuters, duke cituar burime të paidentifikuara.

Policia franceze gjithashtu ka thënë se është duke kërkuar për një person, i cili është identifikuar nga shërbimet e sigurisë së Belgjikës, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.

Sulmuesi kishte parkuar veturën e tij, përballë një veture të policisë në bulevardin Champ-Elysees në Paris. Ai më pas kishte hapur zjarr ndaj zyrtarëve policorë. Pas shkëmbimit të zjarrit, ai kishte tentuar që në këmb të ikte nga vendi i ngjarjes por autoritetet franceze e qëlluan atë për vdekje.

Sipas mediave franceze, sulmuesi ka vuajtur disa vjet burgim pasi kishte qëlluar me armë zjarri zyrtarët policorë në vitin 2000. Shumë shërbime të inteligjencës e kanë identifikuar atë si radikal islamik.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se është i bindur se sulmi “është i lidhur me terrorizmin”.

Grupi militant Shteti Islamik morri përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se një prej “luftëtarëve” të tij ka kryer sulmin.(REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme