Rudolf Nikolla i cili plagosi me thikë pesë persona të hënën në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë mund të jetë nisur nga ekstremizmi fetar.
Drejtoria e anti-terrorit në policinë e Shtetit në Shqipëri e cila është përfshirë në hetimin e incidentit të ndodhur një ditë më parë në Xhaminë te Rruga e Kavajës në Tiranë ka ngritur dyshimet për një fakt të tillë. Autoritetet policore kanë pohuar se gjatë marrjes në pyetje Rudolf Nikolla ka shprehur fraza radikale dhe kanë konstatuar te 34-vjeçari se ka shenja të përfshirjes së tij në rryma ekstremiste.
Po ashtu burimet policore thonë se në disa episode, Rudolf Nikolla kryente veprime të pa kontrolluara si dhe nuk artikulonte mirë fjalët. Ndërkohë, pritet që ai t’i nënshtrohet një ekzaminimi mjekësor për të pasur më të qartë gjendjen e tij mendore dhe shëndetësore.
Policia po shikon edhe pamjet nga kamerat e sigurisë të cilat u sekuestruan një ditë më parë.
Përmes këtij verifikimi plotësohet dinamika e ngjarjes nëse 34-vjeçari ka qenë i shoqëruar me persona të tjerë para momentit të sulmit me thikë. 5 personat të cilët mbetën të lënduar nga sulmi i së hënës ndodhen jashtë rrezikut për jetën. 4 prej tyre kanë lënë spitalin, e ndërsa njëri vijon të jetë i shtruar në spitalin e traumës.
Ndërkohë, Rudolf Nikolla pritet të dalë para trupës gjykuese ku dhe do të njihet me masën e arrestit.
Rreth orës 14:30 të ditës së hënë , në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas. Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34-vjeç, nga Burreli, i cili është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Burime zyrtare bënë me dije se 5 personat e plagosur janë; D. K., rreth 35 vjeç, M. K., rreth 22 vjeç, K. J., rreth 24 vjeç, A. T., rreth 26 vjeç dhe S. P., rreth 23 vjeç.
Autori i sulmit Rudolf Nikolla është marrë në pyetje menjëherë nga agjentet e antiterrorit, për të shuar dyshimet se pas këtij akti mund të jetë një sulm i organizuar terrorist. Babai i Rudolf Nikollit, Nikë Nikolli ka deklaruar se djali I tij që kreu sulmin me thikë ditën e hënë nuk ishte mire me shëndet , pasi ishte shtruar pesë herë në spitalin Neuropsikiatrik nga dhjetori e deri më tani. Nikë Nikolla thotë se është I besimit katolik, por djali i tij është konvertuar në mysliman dhe falte çdo vakt. Madje ai tha se djali kishte qenë disa herë në këtë xhami, ku kryente ritualin e faljes, ndërsa më pas kishte shkuar në një tjetër xhami.
“Kam 6 fëmijë, i kam rritur me shumë halle. Jam i besimit katolik. Kur erdhi kjo koha e demokracisë, një hoxhë që rrinte këtu i merrte fëmijët dhe tentonte t’i kthente në myslimanë. Më pas nisi djali duke u falur. Unë i thoja, ‘robt e tu kanë qenë katolik, kurse ti bëj ç’të duash’. Ai u mor me xhami. Vazhdoi shkollën për frëngjisht në Tiranë. Bëri vetëm dy vite si mbaroi të gjitha. Pastaj u merrte me pica, se nuk kisha shumë të ardhura. Erdhi këtu, më mori lekët që kisha unë dhe hapi një biznes në Peshkopi. Ndihmonte dhe lloj lloj robi. Ai iku dhe në Maqedoni. Aty nuk e di se çfarë i futën, pasi çuni nuk u bë rob më. Kaloi në depresion. Para vitit të ri kaloi në depresion. I bëra letrat për të shkuar në Itali. E kthyen në aeroport. Në kthim, në aeroport, ai kaloi në depresion”, deklaroi Nikë Nikolli.
Imami i xhamisë “Dine Hoxha” Ahmed Kalaja ka reaguar pas sulmit. Ai ka qetësuar besimtarët myslimanë dhe tha se xhamia do të kthehet në funksion brenda disa orësh. Shumë i prekur dhe me lot në sy ai ka konfirmuar se janë plagosur disa vëllezër besimtarë dhe disa persona nga stafi i xhamisë.
Kalaja u shpreh se shpreson që sulmi të mos ketë qenë akt terrorist.