“Super League” e futbollit po ndodh, por jo në Evropë

Prishtinë | 24 Kor 2023 | 18:16 | Nga Kujtim Zebica

“Super League” e futbollit po ndodh, por jo në Evropë, si edhe shumë më shpejt sesa mendohej.

“Liga Saudite është duke u përmirësuar. Unë mendoj që do të jetë një nga top 5 ligat e futbollit në botë. Duhen lojtarë dhe infrastrukturë, por unë besoj në potencialin që ka.” – Cristiano Ronaldo.

Dhe ai ka të drejtë!

Shumë e më shumë lojtarë janë duke u transferuar në këtë destinacion të ri, Arabinë Saudite dhe jo vetëm për pushimë të verës.

Nëse nuk është e kjartë deri më tani se Public Investment Fund (PIF) ka si synim revolucionarizimin e hartës së futbollit botëror duke mbledhur top 100 lojtarët më të mirë të botës në një ligë të re, atëherë nuk e di se çka duhet të ndodhë më shumë.

Pasi që shkaktoi tërmet në botën e sportit të golfit, PIF po synon që nivelin e njëjtë të dridhjes dhe të inovacionit ta realizojë edhe në futboll.

Aktualisht, janë vetëm gjashtë lojtarë në ligat Evropiane që paguhen mbi $30 milion në vit, duke lënë 94 lojtarët tjerë më një mesatare të pagës BRUTO prej $15.4 million. Shtrohet pyetja a mundet që PIF (fondi Saudit) të ofrojë për çdo lojtarë që luan në ligën saudite pagë prej 20 milionë ose më shumë, të liruar nga taksat, për një periudhë prej dhjetë viteve?

Kjo rritje e jashtëzakonshme në fuqinë për të rritur të hyrat e tyre që po fitojnë lojtarët do të ndryshojë dinamikat financiare të futbollit dhe do të tërhekë vëmendjen gjithandej nëpër botë.

Dhe nuk janë vetëm lojtarët.

Trajnerët, asistentët, referët, doktorët, skautistët… të gjithë do të kenë pagesë më të mirë e kushte më të mira punë në Arabinë Saudite.

Messi i ardhshëm me shumë mundësi do të zbulohet nga skautët që punojnë për ndonjë klub të Arabisë Saudite dhe ai talent do të rritet e do të luaj po në atë ligë.

Sepse, audienca edhe paraja do të jetë atje.

Deri më tani, Evropa ka qenë destinacioni primar për top lojtarët botërorë. Por, me ikjen e lojtarëve drejt ligës Saudite – Premier Liga angleze, La Liga spanjolle, Serie A italiana, Bundeslia gjermane, Ligue 1 francesë, më një fjalë top ligat më prestigjioze Evropiane – do të detyrohen ri-vlerësojnë fuqinë e tyre, cilësinë dhe pozicionin e tyre në futbollin botëror. Do të nevojiten strategji të reja e veprim i shpejtë që këto liga të ruaj relevancën dhe renditjen e lartë që kanë në futboll.

Liga e fubtolli saudite mundet padyshim të dridh futbollin evropian, potencialisht duke e kaluar fuqinë në Azi.

Me një audiencë prej 4.7 miliardë njerëzish në Azi, kjo lëvizje ka potencialin që futbollin ta vendosë tek një audiencë shumë më e madhe se sa ajo Evropiane. Si pasojë e kësaj, Konfederata e Futbollit Aziatik (AFC) mund të bëhet më e fuqishme se sa UEFA.

Poashtu, Liga Saudite do të prish balancin edhe në biznesin e të drejtave televizive, biznes i cili është bazuar shumë në ligat Evropiane të futbollit dhe ne UEFA Ligen e Kampionve. Pse të paguhen shuma të mëdha për transmetimin e ligave Evropiane edhe më tutje? Pse mos të zhvendoset fokusi tek Liga e Kampionve Aziatike, ligë në rritje e sipër? Potenciali i madh i audiencës në Azi dhe prezenca e top lojtarëve botëror nga ligën saudite mund të bëjë që Liga Aziatike e Kampionve të jetë ligë shumë atraktive për të drejtat televizive.

Fondi saudit PIF mund t’u ofrojë lojtarëve rroga të mëdha, kontrata afatgjata si edhe lirim total nga taksat në të hyra për të shkundur dominimin aktual evropian dhe për të sjellë top lojtarët botërorë të futbollit tek një audiencë edhe më e madhe. Kjo mund edhe do ta ndryshojë përfundimisht futbollin si e njohim deri më sot.

Në të ardhmen e afërt do të flasim edhe për ligën Amerikane MLS dhe ndikimin e saj në futbollin botëror. MLS është ligë në rritje jo vetëm tash me angazhimin e Lionesl Messi. Për më tepër kampionati i ardhshëm botëror me 2026, zhvillohet pikërisht në SHBA.

Siç duket jemi në epokën e ndryshimeve tektonike në lojën e futbollit!

Të ngjashme