Superliga në shifra, dominon Feronikeli e dëshpëron KEK-u

Prishtinë | 22 Maj 2019 | 08:33 | Nga Ekonomia Online

Të dielën që lamë pas, është mbyllur sezonin 2018/2019 në Superligë dhe i 26-ti që nga mëvetësimi i futbollit kosovar.

Pas 33 xhirove, kampion u shpall Feronikeli me 80 pikë, duke lënë në pozitën e dytë Prishtinën me 75 dhe Llapin që u rendit i treti me 69 pikë.

Nga Superliga drejt Ligës së Parë, direkt u larguan, KEK-u dhe Liria, kurse në barazh do të luajnë, Trepça ’89 dhe Gjilani, që do të përballen me Vllaznimin, përkatësisht Besën.

Skuadra kampione, Feronikeli, ishte dominuese pothuajse në të gjitha aspektet.

“Nikli” arriti më së shumti fitore, 25, duke e lënë në vendin e dytë, Prishtinën me 23 dhe Llapin me 22 sosh.

Kur jemi te triumfet, KEK-u ishte skuadra e vetme që nuk e shënojë asnjë fitore, kurse Liria triumfoi 8 herë dhe Gjilanin që arriti 10 fitore.

Feronikeli pësoi më së paku humbje, vetëm 3, kurse Prishtina humbi 4 herë dhe Llapi që u mposht në 8-të ndeshje.

KEK-u është kampion edhe për sa u përket disfatave, ku në 33 ndeshje, është mposhtur 32 herë, duke e prekur rekordi më negativ në Superligë.

Sulmin më të mirë në Superligë, e ka Feronikeli, ku në 33 ndeshje, realizuan 64 gola, që i bie, gati dy gola për ndeshje. Llapi renditet i dyti me 54 gola, kurse Prishtina është e treta me 49 realizime.

Skuadra nga Drenasi e ka edhe golashënuesin më të mirë në ligë. Bëhet fjalë për Kastriot Rexhën i cili ka realizuar 22 gola, duke e lënë në pozitën e dytë dhe të tretë sulmuesit e Llapit, Ahmed Januzin me 13-të dhe Festim Alidemën me 12 gola.

Ndërkaq, KEK-u është ekipi që ka shënuar më së paku gola, vetëm 24. Pas “elektricistëve” renditen, Gjilani me 28-të dhe Liria me 30 gola të shënuar.

Prishtina e ka mbrojtjen më të mirë në sezonin që përfundoi. Në 33 ndeshje, kryeqytetasit kanë marrë vetëm 12 gola. Portieri Visar Bekaj, edhe në këtë sezon pati paraqitje fantastike. Vendin e dytë për mbrojtjen më të mirë, e mban Feronikeli me 14 gola të pranuar. Portierët, Florian Smakiqi dhe Deniz Troshupa, me intervenimet e tyre e ndihmuan shumë skuadrën drejt titullit. I treti për mbrojtjen më të mirë është Llapi me 24 gola të pranuar.

KEK-u renditet i në pozitën e parë edhe për golat të pranuar. Në 33 ndeshje, skuadra nga Obiliqi e ka nxjerr topin nga rrjeta hiq më pak se 104 herë.

Liria është e dyta me 60 gola të pranuar, kurse Trepça ’89 e treta me 45.

Prishtina është e para edhe për pikët e fituara si vendës, ku në 17 ndeshje, ka arritur 14 fitore dhe 3 barazime, duke arkëtuar 45 pikë. Prishtina është e vetmja skuadër që nuk ka pësuar asnjë humbje në “Fadil Vokrri”.

Feronikeli është në vendin e dytë me 43 pikë të arkëtuara në “Rexhep Rexhepi”, kurse Llapi në “Zahir Pajaziti” i siguroi 37 pikë.

Më së paku pikë si vendës, arkëtuan, KEK-u, një, Liria 16-të dhe Drenica 24 pikë.

Feronikeli ka arkëtuar më së shumti pikë si mysafir. 3 herë kampionët e Kosovës, ka rrëmbyer 37 pikë në udhëtim, duke e lënë në vendin e dytë Llapi me 34 dhe Prishtinën me 30 pikë.

Skuadra e vetme që nuk e ka arkëtuar asnjë pikë si mysafir, është KEK-u, skuadër e cila në 17 ndeshje ka pësuar po aq humbje.

Po të ndahej ndonjë çmim për barazime, do t’i takonte Drenicës, e cila ka luajtur baras 10-të herë. Pozitën dy dhe tre e mbajnë, Flamurtari dhe Trepça ’89 me nga 9 barazime.

Më së paku barazime, arriti KEK-u, vetëm 1 dhe ishe pika e vetme e fituar në elitë në ndeshjen ndaj Ballkanit.

Në total, u zhvilluan 198 ndeshje, ku u shënuan 485 gola, me mesatare, 2.4 gola për ndeshje.

Fitoren më të thellë si vendës, e ka arritur Drita, e cila e ka mposhtur Ballkani 6:1 në kuadër të xhiros së 10-të.

Ndërkaq, si mysafir, Trepça ’89 e ka shënuar fitoren më të lartë, duke e mposhtur KEK-un në Obiliq, 5:1.

Në javën e 32-të, u realizuan më së shumti gola, gjithsej 23 në gjashtë ndeshje.

Kurse, xhirot më të varfra ku u shënuan vetëm nga 9-të gola ishin, xhiroja e parë, e 13-a dhe e 20-a.

Serinë më të gjatë pa humbje, e mbajnë Feronikeli dhe Prishtina me nga 12-të ndeshje të njëpasnjëshme pa pësuar humbje.

Më së shumti fitore radhazi, ka arritur Prishtina, gjithsej, 8-të sosh.

Nga ana tjetër, KEK-u është ekipi me më së shumti humbje radhazi, gjithsej 25 disfata të njëpasnjëshme.

Në sezonin 2018-2019, asnjë ndeshje nuk u regjistrua me rezultat zyrtar, për dallim nga kampionati i kaluar.

Të ngjashme