Gjykata Supreme refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin e aktakuzës ndaj Agim Bahtirit dhe të tjerëve.
Gjykata Supreme e ka konsideruar të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë që i shkoi asaj nga Prokuroria Speciale në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për aktakuzën ndaj Agim Bahtirit, Haxhimet Feratit e Gazmend Kelmendit.
Gjykata e Apelit e hodhi poshtë në mars të këtij viti aktakuzën ndaj Bahtirit dhe dy të tjerëve, pasi në Apel u ankuan avokatët e të akuzuarve.
“Nuk është i bazuar pretendimi i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë që provat nuk janë vlerësuar në mënyrë individuale dhe si tërësi që kishte për të paraqitur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Aktakuza ndaj Agim Bahtirit ishte ngritur më 1 mars të vitit të kaluar ndërsa në dhjetor të po atij viti ishte mbajtur seanca fillestare ku ishte deklaruar i pafajshëm.
Në aktakuzën e përpiluar nga prokurori special i PSRK Agron Bajrami thuhej se lidhja e kontratës “Furnizimi, montimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik efeçient në të gjitha rrugët e qytetit të Mitrovicës” është manifestuar më shkelje të njëpasnjëshme, raporton Kallxo.com.
Aktakuza tashmë e hedhur përshkruante se “Policia e Kosovës më datën 18 nëntor të 2015 ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kallëzimin penal. Prokurori i PSRK-së më 02 shkurt 2016 ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe PSRK më 1 mars 2016 ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Mitrovicës dhe dy të tjerëve”.
Në aktakuzë thuhej se gjithçka kishte nisur më 8 korrik 2014 kur HESALIGHT kishte paraqitur ofertën e parë me çmimin 688,751.00 euro dhe në këtë ofertë nuk ishte paraparë ndonjë shpenzim shtesë përfshirë ndonjë lloj të tatimit edhe pse me ligjet e aplikueshme në Kosovë mund të parashihen.
Në ofertën e dytë të datës 29 shtator 2014, kompania i kishte prezantuar Komunës së Mitrovicës një ofertë tjetër me produkte të njëjta por me çmim prej 642,377. 00 euro, duke mos e precizuar çështjen e tatimit.
Për më tepër, kësaj oferte i është bashkangjitur një tabelë e ofertës së parë jo me çmimin fillestar por me çmimin prej 878.846.00 euro ne emër të tatimit duke rritur ofertën për 190,095.00 euro.
Ndërsa në ofertën e tretë dhe finale të datës 15 dhjetor 2015 rezulton se HESALIGHT ofron këto produkte me çmimin prej 767. 940. 00 euro. Dhe të gjitha këto negociata nuk janë regjistruar me përputhje me udhëzuesin operativ të prokurimit publik.
Agim Bahtiri dhe Haxhimet Ferati akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuari tjetër Gazmend Kelmendi ngarkohej se ka kryer veprën penale të marrëveshjes për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender.