Surroi: Kosova duhet ta respektojë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Prishtinë | 31 Maj 2022 | 22:57 | Nga Ekonomia Online

Publicisti Veton Surroi, ka folur për çështjen e Manastirit të Deçanit, për të cilën u shpreh se i duhet hequr ndërlikimi, duke respektuar zyrtarët, vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai u shpreh në Rubikon se ky vendim për manastirin, nuk trajton substancën e materies, përcjell klankosova.tv.

”Është shumë e ndërlikuar çështja e Manastirit të Deçanit, dhe për ta hequr ndërlikimin, çdo ditë kur pyetet rreth Manastirit të Deçanit duhet thotë ‘’Po Kosova do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese’’. Nuk do ta vëjë në dyshim fare”.

”Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i reversibil, në rast se Kosova anëtarësohet në Këshillin e Europës mund të përcillet tutje. Por, janë shterrur hapat juridik rreth kësaj çështje”.

”Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk trajton substancën e materies. Por, vetëm thotë se pjesa ankimore e palës e cila ka ngritur këtë çështje ka të drejtë. Ajo procedurë juridike është kaq e koklavitur, saqë një gjykatë normale nuk do ta kishte sjell aty. Por, Kosova e ka pasur një gjendje jonormale në gjyqësi dhe e ka sjell në atë gjendje”.

”Kosova ka nevojë ta respektojë. Kosova ka nevojë ta krijojë një lloj marrëveshje me ambientin e gjerë të Manastirit të Deçanit, përfshirë Kishën Ortodokse serbe, përfshirë komunitete”.

”Përgjigjia është po, duhet të implementohet vendimi nga të gjitha instancat, dhe deklarimi i çdo zyrtari të Kosovës duhet të jetë ‘po do ta pranojmë vendimin e gjykatës’ ”.

Rubikon me Adriatik Kelmendi: Çka po humbim, që po i themi jo deri tash dhe po e kemi reagimin e shteteve më përkrahëse tonat?

”Po na flet barku e zemra, ndonjëherë më shpejtë sesa mendja. Është e qartë se në rastin e Manastirit të Deçanit nuk ka lidhje fare, precedenca dhe dëmi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nën formën në të cilën do të implementohej është i barazvlefshëm me atë të fabrikës së gypave të Ferizajt. Edhe në aso kohe fare s’kishte të bënte as më gypa as me manastir as me fare, por me punëtorë që kërkonin që t’u paguheshin dëmet gjatë regjimit të Millosheviqit. Barku reagon instiktivisht dhe thotë ‘po duhet t’ju paguhet’, e thotë zemra thotë ‘po kanë qenë viktima të Millosheviqit’ prandaj duhet t’ju paguhet’ ”.

”Problemi është se në mendje pastaj nuk e ke zbërthy mirë këtë materie. Sepse thu Kosova nga buxheti i vet, duhet t’i paguajë dëmet që i ka bërë Millosheviqi e kjo është në kundërshtim me logjikën. Në rastin e Manastirit të Deçanit, thuhet ‘Kosova duhet të përligj dhuratën që Millosheviqi ia ka bo Manastirit të Deçanit’ ”.

”Këto janë vendime që është dashur mendja t’i zgjidhte, e jo zemra”.

Të ngjashme