Tre mjekë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë suspenduar, dhe tre të tjerë janë dërguar në komision disiplinor, pasi që gjatë inspektimit që është bërë nëpër klinika, ata nuk kanë qenë fare në vendin e punës.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një postimi në Facebook.
“Porsa u njoftova nga Bordi i SHSKUK-së, se gjatë një inspektimi, të cilin e ka bërë drejtori i këtij institucioni Basri Sediu, gjatë natës së djeshme, në disa klinika nuk i ka gjetur fare në vendin e punës disa mjekë dhe infermierë.
Si rrjedhojë, 3 mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komision disiplinor përfshirë edhe 2 infermierë.
Duke e mirëkuptuar punën e vështirë dhe lodhjen e madhe që mund ta kenë gjatë ushtrimit të profesionit, mungesa në vendin e punës nuk e arsyeton askënd.
Mungesa e tyre në vendin e punës mund të jetë humbje e madhe për dikë. Ne po punojmë çdo ditë që të përmirësojmë kushtet për personelin mjekësor në vend, siç bëmë ditë më parë duke rritur pagat e kujdestarive për ta, por çdokush që sillet në mënyrë të papërgjegjshme karshi punës dhe qytetarëve tanë, nuk e meriton të jetë aty.
Këtë sjellje nuk e meritojnë mijëra profesionistë shëndetësorë, të cilët e bëjnë punën e tyre me nder dhe përgjegjësi, që të njollosen nga raste të tilla. Prandaj, në këto situata, nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të falet”, ka shkruar Ismaili.