Ministria e Shëndetësisë e ka suspenduar përkohësisht drejtorin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, raporton Ekonomia Online.
Këtë e ka bërë të ditur Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha- Bunjaku, pas vendimit të marrë në mbledhjen konstituivë të Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, të emëruar nga Qeveria e Kosovës.
Ajo tha se në vend të tij u emërua ushtrues detyre, Bujar Kaquri, derisa shtoi se synim i Qeverisë është standardizimi dhe funksionalizimi i sistemit informativ shëndetësor.
“Sot mbajëm mbledhjen e bordit të sigurimeve shëndetësore të emëruar nga Qeveria e Kosovës. U zgjodh kryesuesj dhe zëvendëskryesuesja. Në këtë takim me shumicë votash u vendos largimi i përkohshëm i drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi”, tha ajo.
Ushtruesi i zgjedhur i detyrës, Bujar Kaqurri, deklaroi se do të punojë për organizim të punëve brenda Fondit.
Ai tha se i nevojitet kohë dhe “gjithçka që është ngritur si shqetësim do të adresohet në organet gjegjëse”.
Ndërkaq Plakiqi nuk ka dashur të flasë për medie, i cili u pa duke dalë i nervozuar nga ky takim.