Mësuesi F. K. nga Vushtrria është suspenduar, nga puna, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të klasës së gjashtë.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ndërsa u shpreh se do të ketë zero tolerancë për këdo që shkel ligjin.
Ndërsa Jeton Salihu nga komisioni disiplinor, i cili ka vendosur për rastin, tha se e kanë marrë vendimin për suspendim pasi janë njoftuar nga Prokuroria në Mitrovicë se është ngritur aktakuzë ndaj mësimdhënësit.
“Sipas ligjit në fuqi ne e kemi suspenduar me 50 % të pagës deri në përfundimin e procesit penal ndaj tij. Ne kemi kërkuar nga Prokuroria e Mitrovicës se deri ku ka shkuar procesi ndaj këtij mësimdhënësi dhe ata nëpërmjet një shkrese na kanë njoftuar se kanë ngritur aktakuzë dhe ne menjëherë kemi marr masat e suspendimit, sepse paraprakisht edhe kemi mbajtur seancat rreth këtij rasti”, ka thënë Salihu.
Express raporton se arsimtari është i moshës 63-vjeçare.
Për këtë rast janë deklaruar edhe nga Prokuroria në Mitrovicë. Zëdhënësi Valon Preteni tha për Express se është pranuar kallëzim penal për personin me inicialet F. K. për “Ngacmim seksual”
Preteni shtoi se më 20 dhjetor, ndaj mësimdhënësit është ngritur aktakuzë për “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Ngacmimi Seksual”.
“Lidhur me kërkesën tuaj njoftoheni se Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pranuar kallëzimin penal ndaj personit me iniciale F.K., për veprën penale ‘Ngacmim seksual’. Rasti është trajtuar, janë zhvilluar hetimet kundër të dyshuarit, dhe pas hetimeve me datë 20 dhjetor 2022 kundër të pandehurit është ngritur aktakuzë në drejtim të veprave penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’ dhe ‘Ngacmimi Seksual’”, tha Preteni.