Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë kanë mbajtur konferencën ndërkombëtare me temën “Ndërtimi i Reziliencës: Programet R&R për Ekstremistët dhe Luftëtarët e Huaj në Kosovë dhe Itali’’, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbeten kërcënimet më serioze në mbarë botën.
Sipas tij, këto fenomene që askush s’mund t’i luftojë i vetëm dhe se puna e përbashkët është rruga më e qëndrueshme për t’i trajtuar ato.
Ai shtoi se aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë, përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet politike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit.
“Përveç ekstremizmit të motivuar nga keqpërdorimi i religjionit që ka qenë prezent deri tani, format e tjera të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm janë në rritje. Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë, përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet politike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit”.
“Institucionet tona janë të përkushtuara që të përshtatin format dhe veprimet për tu ballafaquar me format e reja të ekstremizmit dhe terrorizmit. Bashkëpunimi në mes shteteve është esencial në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit. Kam vazhduar të shtyjë përpara qasjen në parandalim dhe duke i kushtuar vëmendje të veçantë grupeve të cenueshme në vend siç janë gratë dhe fëmijët”, theksoi ai.
“Përgjatë viteve ne si shoqëri filluam të përballemi me problemin e radikalizimit dhe terrorizmit, institucionet në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë filluan të zhvillojnë masa operative dhe strategjike për tu përballur me këtë kërcënim të ri. Në bazë të punës së deritanishme në luftimin e terrorizmit, institucionet e Kosovës kanë bërë hapa të mëdhenj në trajtimin e këtij problemi, në trajtimin e çështjeve në parimet e bazuara të njeriut dhe nevojës për të qeverisur në një shoqëri pa dallim. Republika e Kosovës ka qenë shumë aktive në marrjen e masave në parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit. Për tu ballafaquar me ekstremizmin dhe terrorizmin Kosova ka përdorur dy qasje kryesore, që përfshinë hetimin, arrestimin dhe dënimin e atyre që janë bashkuar në konflikte të huaja përkrahë organizatave terroriste”.
Ai gjithashtu tha se Policia, Prokuroria dhe Gjykatat kanë bërë një punë të mirë në hetimin dhe dënimin e tyre.
“Por duhet bërë edhe më shumë që të jepet mesazh i qartë përballë kësaj veprimtarie. Kemi përdorur edhe qasjen e butë duke iu ofruar të gjithë atyre që ishin pjesë e këtyre organizatave që të jenë pjesë e rehabilitimit dhe riintegrimit. Ky është një program që përveç aktiviteteve specifike adaptohet në bazë të kërkesave që mund të dyfishohen.Bazuar në vlerësimet e deritanishme, programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për të kthyerit nga luftërat e huaja, u ka mundësuar atyre rikthim të ngadaltë por të sigurt”.
Ambasadori i Italisë në Kosovës, Antonello De Riu u shpreh se Kosova pas vitit 2019 përmes qasjes aktive për rehabilitim dhe riatdhesim të personave të përfshirë në konflikte luftërash hyri në fazën e re të luftimin të kërcënimeve potenciale.
“Ky trend ka ndryshuar në vitin 2019 me kthimin e shumicës së luftëtarëve nga Kosova që ishin atje dhe anëtarëve të familjeve dhe fëmijët që kishin lindur në zonat në konflikt. Kosova riatdhesoi një grup të madh të shtetasve nga Siria, e marrja e kësaj qasje aktive të riatdhesimit e vë Kosovën në ballë të përpjekjeve për rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve dhe grave të riatdhesuara nga Siria në shoqëri duke hapur një fazë të re në luftimin e kërcënimeve potenciale nga luftëtarët e huaj dhe familjet e tyre. Tani duhet të fokusohemi më shumë në promovimin, nxitjen dhe lehtësimin e iniciativave të reja në terren dhe platformave për pjesëmarrje të qytetarëve dhe për mbështetjen e komunitetit siç janë programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për të kthyerit si brenda ashtu edhe jashtë burgjeve, mund të ndihmoj në ballafaqimin më të lehtë me këto probleme”.
Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli tha se ky projekt ka synim shkëmbimin e përvojave në mes të Kosovës dhe Italisë në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.
“Kohët e fundit e kemi vërejtur që një ndër fushat të cilat ka pasur më shumë vështirë dhe mungesë të përvojës është rehabilitimi dhe riintegrimi dhe Qendra kohët e fundit fokus të rëndësishëm i ka dhënë kësaj fushe. Në kuadër të këtij bashkëpunimi me partnerët italian qendra ka iniciuar këtë projekt i cili ka qëllim që të shkëmbej përvojat mes Kosovës dhe Italisë sa i përket një njohurie të përbashkët në lidhje me trajtimin sa më adekuat të kësaj teme. Qëllimi është me iu ofruar rekomandime institucioneve të ndryshme sa i përket mënyrës së trajtimit të këtyre problemeve. Mendoj se raporti do tu ndihmoj të gjithëve sa i përket ngritjes së njohurive sa i përket luftimit të fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm”.
Marco di Liddo udhëheqës i analizave në CeSI u shpreh se përmes këtij projekti synojnë të ngrisin vetëdijen për fenomenin e ekstremizmit.
“Jemi mbështetës të mëdhenj sa i përket partneritetit mes Italisë dhe Kosovës dhe ky projekt është vetëm një shembull i vogël i asaj çfarë mund të bëjmë dhe çka duhet të bëjmë në të ardhmen. Unë e konsideroj këtë si një pikënisje apo destinacion. Shumë gjëra duhet të bëhen në të ardhmen dhe ne mund të kontribuojmë si forume për nivelin e parë më të rëndësishëm. Ne me këtë projekt kemi vendosur të bëjmë dy gjëra e para të ngrisim vetëdijen për problemet e përbashkëta që gjithmonë janë në hije apo mbesin në hije dhe harrohen nga mediat sepse institucionet tërë kohën merren me emergjenca të reja”.
“Qëllimi i dytë është se nëse problemet janë të përbashkëta duhet të flasim me njëri-tjetrin duhet t’i ndajmë zgjidhjet e përbashkëta sepse vetëm në këtë mënyrë mund të nxjerrim krahasime nga të cilat mund të mësojmë nga njëri-tjetri”.
Të gjeturat e raportit i prezantuan nga Skënder Përteshi nga QKSS i cili tha se Kosova është shembull për vendet e BE-së për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.