Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot zhvilluan një takim me Komisionerin për Drejtësi të Bashkimit Evropian, Dider Reynders, shkruan EkonomiaOnline.
Në këtë takim Ministri Sveçla dhe ministrja Haxhiu diskutuan mbi prioritetet e qeverisë së Republikës së Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimin e ligjit, reformat në drejtësi dhe siguri, vetingun në polici e drejtësi dhe ngritjen e integritetit dhe profesionalizmit. Gjatë takimit të dy ministrat, Sveçla dhe Haxhiu e njoftuan Reynders edhe për progresin e arritur në Kosovë.
Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për sfidat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në adresimin e problemeve të cilat kanë të bëjnë me forcimin e shtetit ligjor si dhe për nevojën për bashkëpunimin e afërt dhe profesional me partnerët ndërkombëtar.
Në anën tjetër Komisioneri Reynders shprehu interesim për të diskutuar për reformat dhe fuqizimin e shtetit të së drejtës, ndër të tjera theksoi rëndësinë e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtësisë së pavarur dhe profesionale si dhe nevojën e një shteti funksional i cili do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në rajon.