Sveçla konfuz: Nuk ka marrëveshje të shkruar për letërnjoftimet – është e njëjtë me të vitit 2011, e cila ra shkaku i presionit të VV-së

Prishtinë | 31 Gus 2022 | 23:39 | Nga Ekonomia Online

Marrëveshja e fundit për lëvizjen e lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka fare tekst. Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ishte i ftuar për intervistë në mediumin publik RTK.

Publikimi i tekstit të marrëveshjes është kërkuar vazhdimisht nga opozita dhe shoqëria civile, të cilat e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës, për jotransparencë. Por, sipas asaj që tha ministri i Punëve të Brendshme, qeveria nuk ka se cfarë t’i ofrojë opozitës dhe shoqërisë civile, sepse marrëveshja me shkrim nuk ekziston.

Po ashtu, Sveçla nuk është treguar i qartë nëse marrëveshja e fundit është e njëjtë me marrëveshjen për lëvizje të lirë e vitit 2011.

Në fillim, ai thotë se marrëveshja e vitit 2011 nuk dallon nga kjo e fundit, kurse më pas vazhdon duke thënë se nuk është duke u implementuar ajo marrëveshje dhe se nuk ka nevojë për të.

“Nuk ka dallim, nga kjo marrëveshje nga ajo e 2011-tës. Nuk ka tekst, këtu është konfuzioni, nuk është duke u implementuar marrëveshja e 2011, realisht ajo marrëveshje ka ra për shkak të presionit tonë nuk ka nevojë për atë marrëveshje. Shumë thjesht Serbia nuk do të emetojë fletë hyrje-daljet”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme ka folur edhe për mundësinë që Serbia të mos e respektojë marrëveshjen e fundit për lëvizje të lirë. Sipas tij, nëse kjo ndodh, Kosova do të vazhdojë ta implementojë masën e reciprocitetit dhe të lëshojë dokumente për hyrje-dalje, për shtetasit serbë.

“Këtu, është vetëm një opsion, por normalisht që do të ketë reagim nëse ai opsion nuk vihet në funksion. Largimi i fletë hyrje-daljeve, duke marrë parasysh edhe vendosjen e panove në anën e kufirit të Serbisë në orë 24:00, Serbia do ta ndërpretë lëshimin e fletë hyrje-daljeve, nëse nuk i ndërpret normalisht që ne jemi të gatshëm që t’i vendosim fletë hyrje-daljet, për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Ministri Sveçla, e ka akuzuar presidentin e Serbisë, i cili sipas tij, është duke përdorur një retorikë të ngjashme sikurse Millosheviqi. Sipas tij, me këtë retorikë, Serbia është duke u kthyer prapa 30 vjetësh.

Të ngjashme