Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ndihet i sigurt falë Policisë së Kosovës, pas kërcënimeve që ka marrë me jetë nga “Brigada e Veriut”, raporton Ekonomia Online.
Në postimin e ministrit në Facebook ku tregon për zbulimin e një sasie të madhe të armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore e eksploziv në Zveçan, është vërejtur kërcënimi në gjuhën serbe “Unë do ta bëj vetëgjyqësinë, vetëm prite momentin”.
Sveçla ka thënë se në luftën për rend e ligj, do të ketë çdo herë armiq.
“Unë ndihem jashtëzakonisht i sigurt, mu falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizmit të tyre. Sukseset e Policisë së Kosovës, ajo që na garanton që qytetarët të kenë një jetë të qetë dhe institucionet të punojnë të sigurta. Patjetër që në luftën tonë për drejtësi, rend e ligj gjithmonë do të ketë armiq të kësaj lufte e të cilët në një mënyrë apo tjetrën do të godasin institucionet e Kosovës. Mos të harrojmë se edhe vetë Policia e Kosovës ka policë të rënë në detyrë, të cilët nuk janë sot në mesin tonë për të festuar por janë familjarët e tyre të cilët u uroj Ditën e Policisë. Punët vazhdojnë, armiqtë tanë do të përfundojnë gjithmonë duke dhënë llogari para ligjit”, ka deklaruar Sveçla.