Sveçla konfirmon ardhjen edhe të 113 afganëve në Kosovë, thotë se vijnë edhe 131 të tjerë

Prishtinë | 31 Gus 2021 | 12:13 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për medie ka konfirmuar ardhjen e kontingjentit të dytë të shtetasve prej 113 shtetasve afganë në Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai ka njoftuar se pas kërkesës së ShBA-së dhe NATO-s për strehim të afganëve Qeveria e Kosovës ka nxjerr dy vendime atë për mbrojtje të përkohshme të shtetasve afganë që kanë ndihmuar SHBA-në dhe ata që kanë punuar për misionin e NATO-s në Afganistan.

“Ne kemi arritjen e dy grupeve i fundit ka qenë mbrëmë pas mesnate ku 113 afganë bashkëpunëtorë të NATO-s së bashku më familjarë janë strehuar në kampin e Ferizajt”.

“Sot do të kemi edhe një grup të ri që do të vijnë edhe këta bashkëpunëtorë të NATO-s, rreth 131 të tillë”.

Ai ka theksuar se strehimi i tyre është i përkohshëm dhe ka thënë se asnjë nga shtetasit afganë nuk ka qenë i infektuar me Covid-19.

“Do të vazhdojmë me trajtimin e tyre bazuar në ligjet e Kosovës”.

Në Kosovë fillimisht janë strehuar 111 qytetarët e parë afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Prej tyre, 55 janë gra dhe fëmijë, kurse të tjerët janë burra. Ata arritën në Prishtinë më 29 gusht.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.

Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.

Qindra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.

Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.

Të ngjashme