Sveçla pret një delegacion me zyrtarë nga Franca, kërkon liberalizim të vizave

Prishtinë | 09 Nën 2022 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim një delegacion nga Franca i përbërë nga disa zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme dhe Evropës.

Ky takim u realizua me rastin e takimeve e shkëmbimeve të rregullta në kuadër të marrëveshjeve bilaterale me shtetin e Francës dhe këtë radhë delegacioni nga Franca ishte i përbërë nga zyrtarë të lartë nga Ministria e Jashtme dhe Evropë dhe Ministria e Brendshme.

Sipas një kumtese nga MPB-ja, me këtë rast janë zhvilluar takime teknike punuese me ministritë tona përkatëse në fushën e bashkëpunimit policor, luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, menaxhimit të migrimit, azilit, liberalizimin e vizave, frankofoninë dhe marrëdhëniet bilaterale.

Përveç bashkëpunimit me Republikën e Francës në fushën e sigurisë, përgjatë këtij takimi, ministri Sveçla dhe ekipet teknike të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës prezantuan të arriturat tona në luftimin e krimit dhe korrupsionit, luftimin e kontrabandës me migrantë, si dhe për bashkëpunimin me Francën në fushën e ripranimit dhe riatdhesimit.

Të dyja palët u pajtuan që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për viza dhe ka shënuar progres në vazhdimësi në fushat përkatëse si riatdhesimi, siguria e dokumenteve, rendi publik e luftimi i krimit të organizuar e korrupsioni si dhe të drejtat fundamentale njerëzore.

Franca është jashtëzakonisht e kënaqur me bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informatave në fushën policore e të migracionit.

Sipas MPB-së ky proces tashmë ka hyrë në fazën finale dhe po diskutohet në formatin e Grupit për Viza të Këshillit të BE-së dhe se kërkuan përmbylljen sa më shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave pasi kosovarët e meritojnë.

Të ngjashme