Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka reaguar për sulmin në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Kodra e Minatorëve”, në veri të Mitrovicës.
Përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, Sveçla ka shkruar se ky sulm është një mesazh i strukturave paralele që funksionojnë në atë zonë që duan të spastrojnë etnikisht shqiptarët e mbetur.
“Duke marrë parasysh se kjo ndodhi natën e pas 17 marsit, ky është mesazh i qartë që këto struktura, që herë janë paralele e herë shfaqen si zyrtare duan që etnikisht të spastrojnë këtë zonë nga shqiptarët e mbetur”, ka shkruar Sveçla, raporton Insajderi.
Sveçla ndër tjera ka thënë se ky është momenti i fundit që institucionet qendrore të angazhohen për banorët që jetojnë në atë pjesë.
“Është momenti i fundit që institucionet qendrore të angazhohen seriozisht e në mënyrë të vendosur që banorëve atje t’iu ofrojnë sigurinë e nevojshme dhe që t’iu sigurojnë kushte për jetë të qetë e prosperuese atje”, ka thënë Sveçla.
Qendra e Mjekësisë Familjare (QMF), në lagjen “Kodra e Minatorëve”, në Mitrovicë, është sulmuar në mëngjesin e sotëm.