Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla priti në takim drejtorin e projektit të IPA-së, Carlo Verdiglione, ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando si dhe zyrtarë tjerë të lartë të ambasadës italiane.
Në këtë takim u diskutua për objektivin e përgjithshëm të projektit rajonal i cili është të ngritë kapacitetet e autoriteteve të zbatimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin, duke përfshirë parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm duke rritur bashkëpunimin brenda rajonit me BE-në.
Ministri Sveçla i njoftoi të pranishmit lidhur me prioritetet e MPB-së, duke theksuar parandalimin dhe luftimin e krimit, si dhe korrupsionit, reformat në Policinë e Kosovës si dhe rëndësinë e bashkëpunimin në rritjen e sigurisë në përgjithësi.
Projekti synon të arrijë këtë përmes Forcimit të aftësive operacionale të organeve të zbatimit të ligjit të Ballkanit Perëndimor për të luftuar krimin e organizuar, forcimit të aftësive të autoriteteve të zbatimit të ligjit të Ballkanit Perëndimor për të marrë pjesë në mënyrë efektive dhe për të kontribuar në strukturat dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal dhe Evropian, si dhe forcimin e aftësive te autoriteteve të zbatimit të ligjit të Ballkanit Perëndimor për të shkëmbyer informata.