S’vjen ministri Aliu në Komisionin për Financa, kritikohet nga pozita e opozita

Prishtinë | 20 Shk 2024 | 15:22 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e mazhorancës dhe opozitës e kanë kritikuar ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, për shkak të mospjesëmarrjes në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Në rend dite ishte shqyrtimi i raportit të auditimit të përformancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, tha se ministrit i ishin ofruar disa data dhe ka pranuar që të jetë me datën 20 shkurt, por më pas kishte kërkuar që të shtyhet ora nga 11:00 për në ora 14:00, por përsëri s’ka ardhur duke kërkuar që kjo të shtyhet për një datë tjetër.

Bajrami ka thënë pasi i janë ofruar disa data dhe ka pasur konfirmim, është mirë të vazhdohet me shqyrtim të raportit, pasi sipas saj, ministri është treguar jo serioz lidhur me këtë çështje.

Kritika për mosardhjen e ministrit pati edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, veçse kërkoi që t’i jepet edhe një shanse.  

“Është papërgjegjësi mosardhja e tij. T’u them të drejtën sa kam infromacione, kërkesa e tij ishte për të enjten e për mospjesëmarrje përgjegjësia bie mbi ta, s’mund të pajtohet të vazhdojmë tutje pa të, sa është ftuar në të kaluarën ka qenë i përgjegjshëm, e sot nuk është në rregull, konsideroj që t’i japim edhe një shanse”, u shpreh ai.

Ndërsa deputeti i Partisë Demkratike të Kosovës, Rashit Qalaj, tha se mosardhja e ministrit nuk mund të ndërlidhet me kryetarët. Këta të fundit, tha se nuk e kanë obligim pjesëmarrjen.

“Pajtohem se është papërgjegjësi e madhe e ministrit, nuk mund të flasim asgjë përveçse dështim, mund te ketë arsye por agjendën duhet ta formuloj në bazë të komisioneve. Dy deputetët e VV-së, po harrojnë që kryetarët e komunave nuk janë të obligueshëm me ardh”, tha Qalaj.

Në mbledhje pati përplasje mes deputetëve të Vetëvendosjes dhe opozitës lidhur me mosprezencën e ministrit. Beqaj i PDK-së kërkoi nga prokuroria që të hetojë gjetjet e raportit duke thënë se ata nuk janë për t’ia bërë gjyqin askujt.

Për këtë reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, mungesa e ministrit po zmadhohet nga opozita.

“Mos e tepro Hajdar, e thash se s’ka nevojë për me bo filma, nuk është hera e parë që mungon një ministër ose kryetar komune”, u shpreh deputeti i VV-së.

Në fund, kryetarja e këtij komisioni, Hykmete Bajrami, tha se data e fundit për raportim të ministrit është 27 shkurti.

Të ngjashme