PPSE përkrahë modernizimin e fidanishtes në Leshan të Pejës, do të ketë kapacitet deri në 1 milion fidane

Pejë | 16 Pri 2024 | 12:26 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Leshan të Pejës është përuruar fidanishtja moderne, përkrahur nga SwissContact, përmes Projektit “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE).

Gëzime Hasani nga organizata “SwissContact” tha se bujqësia është një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë.

“Përmes projektit tonë synojmë të përmirësojmë qasjen, të ndihmojmë bujqësinë në Kosovë”, ka thënë ajo.

E pronari i fidanishtes së re, Hyvzi Alia, u shpreh i lumtur me këtë investim.

“Në fshatin Leshan është zhvilluar një kulturë e vjetër bujqësore, kemi filluar kohën e fundit një ndryshim, që të kemi risi të reja. 300 shtëpi me 2000 banorë, edhe familja jonë ka filluar me bujqësi, kemi punu fidanët në mënyrë tradicionale, e nga 2016 ta kemi menduar ta bëjmë një ndryshim në avancimin e bujqësisë”, ka thënë Alia.

Alia ka shtuar se aktualisht kanë 500 deri në 600 fidanë, e sot është me një kapacitet deri në një 1 milionë fidanë.

“Për momentin në fidanishten tonë 500 deri në 600 fidanë, e sot është me një kapacitet deri në një 1 milionë fidanë, me makineri të avancuara nisur nga përpunimi i farave e tutje”.

“Me makinerinë e përdorur nga Swisscontact ne kemi avancuar shumë, nuk e di se si kishte qenë një variant më i mirë mirëpo me mundësinë e një fidani të ri, është suksesi më i madh për fermerin”, ka thënë ai.

“Fidanishtja e re ka sistem të ujitjes, nga kompani italiane, që na mundëson ushqimin e fidanit”, është shprehur Alia.

Pronari Alia e falënderoi organizatën SwissContact për ndihmën e dhënë.

I pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili përgëzoi përfaqësuesit e Swisscontact që kanë vendosur të ndihmojnë një bujk të vyeshëm.

“Së pari duhet me i përgëzu përfaqësuesit e Swisscontact. Komuna e ka përqafuar këtë ide, i përgëzoj që e kanë zgjedhur edhe personin e duhur, një njeri punëtor të cilit puna i flet vetë dhe besoj të mos jetë kjo fidanishtja e vetme në Pejë, por të ketë edhe tjera”, ka thënë Muhaxheri.

Jean Christophe nga Agjencia Zvicrane për Zhvillim tha se është kënaqësi për të, të jetë sot në fshatin Leshan, duke thënë se është rast i mirë për fermerët e zonës që të kenë fidanë cilësore.

Ai e falënderoi edhe organizatën SwissContact për bashkëpunimin dhe arritjen e gjithë këtij suksesi.

Pas fjalimeve, nga afër u panë demonstrimet e teknologjisë moderne për mbjellje dhe kultivimin e fidanëve.

Të ngjashme