Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla, ka thënë se që nga pas lufta në Kosovë viti 2018 ka shënuar progres për ndërmarrjen që ai e mbikëqyrë.
“Që nga paslufta mund të them se viti 2018 ka qenë ndër vitet më të rëndësishme në historinë e ndërmarrjes ‘Trepça’, pasi në prill, me vendim të kryeministrit të Kosovës, për herë të parë emërohet bordi mbikëqyrës si organi më i rëndësishëm i ndërmarrjes i paraparë me Ligjin për ‘Trepçën’.
Me emërimin e bordit është përçuar sinjal pozitiv nga Qeveria si aksionarja kryesore te të gjithë aktorët e interesuar për ndërmarrjen ‘Trepça’.
Përgjatë vitit 2018 bordi ka pritur delegacione ndërkombëtare, ambasadorë të shteteve mike, si dhe palë të ndryshme të interesuara për ndërmarrjen, ndërsa shqetësimi kryesor i të gjitha palëve të interesit përgjatë takimeve ishte mosfunksionalizimi i ndërmarrjes si dhe moszbatimi i Ligjit për ‘Trepçën’”, ka thënë Syla.
“Trepça” është shpallur eksportues i vitit 2018 nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) që, sipas Sylës, vërtetoi se po punohet, prodhohet dhe eksportohet në këtë ndërmarrje. “Përkundër kësaj, më duhet të them se gjendja aktuale e kapaciteteve eksploatuese dhe prodhuese në të gjitha njësitë prodhuese nuk është e dëshiruar dhe kjo gjendje është në kuadër të sfidave me të cilat përballemi.
Këto sfida po ndikojnë në rënien e prodhimit në të gjitha njësitë prodhuese, si: mungesa e fuqisë së re punëtore, teknologjia e vjetruar, mungesa e investimeve kapitale. Pra, këta janë disa prej faktorëve determinues të përkeqësimit të situatës në prodhim. Duhet potencuar se çdo vit përafërsisht pensionohen rreth 60 të punësuar, të cilët deri më tani nuk janë zëvendësuar.
Prodhimi i vitit 2018 në minierat me flotacion Stantërg, Artanë dhe Kishnicë është përreth 13 për qind më i ulët në krahasim me vitin 2017. Rënie sistematike e prodhimit është shënuar përgjatë pesë vjetëve të fundit për shkak të faktorëve të cilët u potencuan. Rënia sistematike e prodhimit, mungesa e strukturave menaxhuese, mosdisiplina në punë dhe keqmenaxhimi kanë bërë që detyrimisht ndërmarrja të përfundojë me një bilanc financiar negativ”, ka thënë Syla për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka deklaruar se bazuar në shënimet ende të pakonsoliduara nga menaxhmenti aktual për 11 muaj të vitit 2018, humbja nga afarizmi është mbi 1.3 milion euro. Edhe më shqetësues është fakti mosshlyerja e obligimeve financiare ndër vite për obligimet e rentës minerare, shpenzimit të energjisë elektrike, shpenzimeve të ujit, operatorëve ekonomikë dhe furnitorëve tjerë, që kapin vlerën prej 8 milionë eurosh. Sipas Sylës, kjo shumë financiare vështirëson e rëndon edhe më shumë gjendjen e përgjithshme të ndërmarrjes. “Përkundër gjithë kësaj, gjendja në eksploatim dhe prodhim ka filluar të shënojë përparim muajt e fundit, kurse presim përmirësim të dukshëm gjatë vitit vijues, pasi ka vazhdimisht përpjekje maksimale të normalizimit të gjendjes në ndërmarrje, por pengesa më e madhe që po na paraqitet është mosregjistrimi i ‘Trepçës’ sh. a.”, ka thënë Syla.