Përfaqësuesja e Kosovës në futboll po shtrin “rrënjët” në futbollin e Zvicrës. Plot tre lojtarë të rritur e të zhvilluar në këtë vend janë në proces që t’i bashkohen Kosovës, portieri Arijanet Muriq, mbrojtësi Mirlind Kryeziu dhe sulmuesi Shkëlqim Demhasaj. Plot të tjerë tashmë janë në përfaqësuese si Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli, Idriz Voca.
Por Përfaqësuesja e Kosovës po e ka dukshëm më të vështirë që të depërtojë në futbollin e Gjermanisë, përkatësisht që t’i bindë lojtarët më të mirë shqiptarë që zhvillohen e bëjnë karrierë në këtë vend, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dhe numri i tyre nuk është i vogël, madje po shkon duke u rritur vazhdimisht. Po shkon duke u rritur edhe ndikimi i tyre në skuadrat ku bëjnë pjesë.
Florent Muslija po bën emër shpejt në futbollin gjerman. Dy prej mediumeve kryesore të Gjermanisë, “Bild” dhe “Kicker”, të dielën kanë shkruar për këtë 20-vjeçar të Hannoverit.