Synimi i Pahor për ta drejtuar dialogun, në Bruksel ende s’ka nisur puna për zgjedhjen e emisarit të ri

Prishtinë | 13 Maj 2024 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Në tavolinën e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga shtatori do të jetë një ndërmjetës i ri, si përfaqësues i Bashkimit Europian.

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor po synon ta marrë postin e të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi Miroslav Lajçakut t’i përfundojë mandati në fund të gushtit.

Pahor duket entuziast për ta marrë këtë detyrë. Ai paralajmëroi se këtë javë do ta zyrtarizonte kandidaturën.

Zëdhënësja e BE-së, Zoï Muletier i tha Gazetës Express se në Këshillin Europian s’ka nisur ende puna për rishikimin e mandatit të emisarit.

“Mandati aktual i Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian është ende i vlefshëm dhe puna në Këshill për rishikimin e mandatit ende nuk ka filluar”, tha Muletier.

Pahor është themelues i institutit privat Miqtë e Ballkanit Perëndimor, misioni i të cilit është integrimi i vendeve të rajonit në BE, nxitja e dialogut, pajtimi dhe zhvillimi ekonomik.

Për Pahorin si pasues të Lajçakut po lobohet tashmë. Një dorë në këtë po jep edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europës, e udhëhequr nga ish-bashkëpartiakeja e tij Tanja Fajon.

Pahor në disa qarqe vlerësohet si kandidat i përshtatshëm për ta zënë një pozicion të rëndësishëm dhe prestigjioz në Ballkanin Perëndimor. Një rrjet diplomatik slloven po përpiqet ta ndihmojë ish-presidentin në këtë synim.

Ai ka thënë se ka një sërë idesh se për ringjalljen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kandidaturën e tij, Pahor duhet ta paraqesë në Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm, që drejtohet nga socialisti spanjoll Josep Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell e kishte emëruar sllovakun Miroslav Lajçak në detyrën e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi në vitin 2020.

Pas zgjedhjeve europiane që do të mbahen në qershor, do të vendoset edhe se kush do të jetë shefi i ri i diplomacisë europiane, i cili do ta pasojë Borrellin.

Të ngjashme