Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka thënë se BE-ja parasheh një zgjerim të madh, nga 27 shtete anëtare në 37 sosh, duke përfshirë këtu vendet e Ballkanit dhe Ukrainën, raporton Ekonomia Online.
Kështu është shprehur ai në panelin e dytë “Lufta e Ukrainës dhe Zgjerimi i BE-së: Një diskutim në panel mbi formësimin e të ardhmes”, i cili është mbajtur në kuadër të Samitit të Paqes.
Ky zgjerim i BE-së, sipas Szunyog, është bërë edhe më i rëndësishëm pas agresionit rus në Ukrainë.
Mirëpo, ai ka thënë se vendet e Ballkanit kanë ende punë, sidomos në aspektin ekonomik pasi që mes tyre dhe vendeve të BE-së ka një hendek në këtë aspekt.
“Evropa po përballet me një sfidë tani, luftën në Ukrainë. Ne po kërkojmë një zgjerim të BE-së nga 27 shtete anëtare në 37. Ka një hendek ekonomik mes rajonit she Evropës, i cili nuk eshte mbyllur në 10-15 vitet e fundit. Vendet e Ballkanit duhet të punojnë më shumë në këtë aspekt në mënyrë qe të jenë pjesë e BE-së në 2030”, ka deklaruar Szunyog.