Kontejnerët në lagjet e Prishtinës janë stërmbushur me mbeturina, pasi kompania “Pastrimi” nuk po i mbledhë ato qe disa ditë, me arsyetimin se nuk ka ku t’i zbrazë kamionët, raporton Ekonomia Online.
Sipas njoftimit, Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK) ua ka mbyllur qasjen në deponinë në Obiliq.
Ekonomia Online sjell pamjet nga hapësira e dedikuar për kontejnerë, që ndodhet në cepin e rrugës “Mark Isaku”, në kryqëzimin me rrugën UÇK, vetëm rreth 150 metra larg nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe institucioneve qeveritare.
Sikur shihet, gjendja është vërtet e rëndë, pasi kontejnerët janë të stërmbushur dhe mbeturinat kanë filluar të shpërndahen dhe të kundërmojnë.
Në mënyrë cinike, në vendndodhje bie në sy slogani “Ta mbajmë pastër Prishtinën”.
Të shqetësuar me këtë po shprehen banorët e kësaj ane. Eltin Berisha, thotë se faj për këtë kanë edhe qytetarët, të cilët mbeturinat i hedhin vend e pa vend.
“Pak po më duket e pakujdesshme nga të dyja anët, edhe nga kompania e pastrimit edhe nga qytetarët që hedhin mbeturina edhe pse është plot ata hedhin mbi ose anash. Edhe kompania që nuk e pastro me rregull. Nuk është e hjeshëm e me u hedh kështu. Nuk kemi kontejnerë të ndarë dhe është goxha faji i qytetarëve që i lënë të hapura dhe nuk i mbyllin mirë, vinë qentë, pëllumbat, macet etj, që i shpërndajnë”, tha ai.
“Me qenë kjo në ndonjë vend i papastruar edhe kështu nuk bën t’i lënë, e le më këtu bash në kryeqendër. Natyrisht që as dritaret nuk mund t’i hapim”, tha një tjetër banor.
Kompania Regjionale “Pastrimi”, ka njoftuar se për shkak të mbylljes së deponisë nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) ka ndaluar mbledhjen e mbeturinave, pasi nuk ka ku t’i zbrazë kamionët.
“Të nderuar qytetarë, ju njoftojmë se për shkak të mbylljes së deponisë nga e KMDK-së, kamionët e Kompanisë “Pastrimi” nuk munden të zbrazen. Si pasojë e kësaj mbeturinat në Komunën e Prishtinës dhe Komunat tjera ku operon Kompania “Pastrimi” nuk do të grumbullohen. Kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët”, thuhet në njoftimin e tyre.
Kjo kompani përfshinë mbledhjen e mbeturinave në Prishtinë, Lipjan, Obiliq, Podujevë, Drenas, Fushë-Kosovës dhe Graçanicë.