Ministri Abelard Tahiri tha për Radio Kosovën se me këtë numër shtesë të zyrtarëve, synohet shkurtimi i periudhës së zgjidhjes së lëndëve dhe të rritet efikasiteti në prokurori.
Me buxhetin e viti 2018, Ministria e Drejtësisë i ka paraparë edhe 148 pozita shtesë për angazhimin e zyrtarëve mbështetës, atyre ligjorë dhe bashkëpunëtorëve profesionalë, të cilët do të shërbejnë nëpër prokuroritë themelore, atë speciale dhe Zyrën e kryeprokurorit të shtetit.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se procesi i angazhimit të tyre ka filluar.
“Rekrutimi i këtyre pozitave ka filluar. Jam në dijeni që janë zhvilluar konkurse, këto konkurse i ka monitoruar edhe EULEX-i nga afër nëse janë fer, nëse janë transparente dhe nuk u mohohen të drejtat të gjithë atyre që kanë kandiduar në këto pozita, dhe kam marrë një raport që gjithçka ka shkuar në rregull dhe tashmë jemi në përfundim të vetëm një faze, që besoj që deri në fund të vitit, do të rekrutohen aq sa kemi thënë, pra, 148 pozita të reja”, tha ai.
Ndërkohë, Tahiri tha se numri i prokurorëve tashmë është plotësuar, pasi sipas tij, në Republikën e Kosovës tashmë janë të angazhuar mbi 200 të tillë.
Me angazhimin e këtyre zyrtarëve, ministri Abelard Tahiri tha se synohet të shkurtohet periudha e trajtimit të lëndëve por edhe të rritet efikasiteti i Prokurorisë së shtetit.
“Viti 2018 edhe KGJK-në edhe KPK-në i gjen me një buxhet solid. Vlen të theksohet se në vitet e fundit këto institucione janë ballafaquar me mungesë të buxhetit dhe janë ballafaquar me numër të madh të lëndëve dhe staf jo të mjaftueshëm. Kosova ka më së paku gjyqtarë të angazhuar për kokë banori sa i përket krahasimit me vendet e rajonit. Kjo na shqetëson shumë, dhe jemi të angazhuar që të rekrutojmë numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve që të shkurtohet kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve”, tha ai.
Sipas raportit të Avokatit të Popullit, kohëzgjatja mesatare e trajtimit të lëndëve gjyqësore në Kosovë, është tetë vite.