Tahiri: Adresimi i komenteve te ZRrE, tentim për të blerë kohë nga qeveria për ta legjitimuar rritjen e energjisë

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti do ta kundërshtoj qasjen, siç e quajti ai, legjitimuese për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.

Tahiri ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe se nuk ka pasur vullnetin për të shqyrtuar mundësitë që të evitohet një skenar me rritje çmimi ose reduktime të ashpra.

“Për më tepër, pa treguar as vullnetin më të vogël për të shqyrtuar mundësitë që të evitohet një skenar me këto dy alternativa, prej të cilave asnjëra nuk është alternativë për qytetarin, Kryeministri Kurti dhe mazhoranca kanë qenë në sinkronizim të plotë me ZRRE-në dhe operatorët, duke përgatitur terrenin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike”.

“Në reflektim të gjendjes së rënduar sociale dhe pamundësisë së qytetarëve për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, Grupi Parlamentar i PDK-së kishte thirrur debat në Kuvendin e Kosovës, në seancën e të cilit, nga sinkroni Qeveri-ZRRE, nuk pati reflektim por konfirmim se rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte bërë “doktrinë zyrtare” e Qeverisë Kurti”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, ai thotë se adresimi i komenteve të ZRRE-ja, ishte përpjekje e qeverisë për të blerë kohë dhe për të legjitimuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Si një barrë e papërballueshme për qytetarët e Kosovës, të cilët krahas inflacionit në produkte esenciale, tash do ngarkohen me dyfishim të çmimit të energjisë elektrike, për PDK-në, legjitimimi i kësaj rritje përmes komenteve që synojnë të përmblidhen në pyetjen se sa duhet të shtrenjtohet energjia elektrike e jo se çfarë duhet bërë që ajo të mos shtrenjtohet, ka qenë dhe është i papranueshëm”.

“Prandaj, ne kemi kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe do ta kundërshtojmë me çdo mjet demokratik e ligjor, këtë barrë të rëndë që po iu shërbehet qytetarëve nga sinkroni Qeveri-ZRRE”, ka shkruar Tahiri,

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme