Tahiri: Alarmante, kolapsi i ekonomisë së vogël!

Prishtinë | 16 Mar 2024 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova po përjeton një tronditje ekonomike shkak i “shembjes” së bizneseve.

“Me qindra biznese të vogla gjithandej Kosovës, duke përfshirë dyqane, biznese të vogla të shitjes, kafiteri, restorante janë duke u mbyllur për shkak të mungesës së konsumit”, ka shkruar Tahiri, në Facebook.

Informatat e para të tremujorit të parë të vitit 2024 rreth qarkullimit të bizneseve që operojnë në Kosovë janë alarmante, sipas tij.

“Fuqia blerëse ka rënë nga 15% deri në 50%. Me mbylljen e bizneseve do të shkojmë drejt rritjes së papunësisë në Kosovë që ndikon në rritjen e varfërisë dhe në uljen e nivelit të jetesës për qytetarët”.

Tahiri thekson se ekonomia përbën shtyllën kryesore të funksionimit të jetës në një shoqëri normale. “Kjo Qeveri me retorikën e vet të luftës, me konfliktin e hapur me bashkësinë ndërkombëtare duke e mbajtur Kosovën nën sanksione, dhe duke mos pasur asnjë investim të huaj të mirëfilltë në vend, është duke e bankrotuar Kosovën. Dhe, të rinjtë po detyrohen t’ia mësyjnë migrimit”.

“Qeveri, vepro ose shko!”, thekson Tahiri i AAK-së, në fund të postimit të tij.

Të ngjashme