Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vizituar Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku ka parë nga afër punën në këtë qendër, si dhe takoi dhe persona që janë në vuajtje të dënimit.
Tahiri tha se Burgu i Dubravës ka mungesë të oficerëve dhe pajisjeve, por ka premtuar se me shtimin e buxhetit nga viti i ardhshëm gjendja do të përmirësohet, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Drejtësisë tha se do ta avancojnë bazën ligjore për të arritur një trajtim më të denjë të personave në vuajtje të dënimit. Gjithashtu, me rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm do të mundësohet blerja e pajisjeve të reja teknike dhe të sigurisë, si dhe efektiviteti i punës së institucioneve korrektuese do të rritet me rritjen e numrit të oficerëve korrektues.
Ai premtoi se vëmendje do t’i kushtojë dhe përmirësimit të infrastrukturës që kushtet e trajtimit të jenë brenda normave dhe standardeve më të avancuara bashkëkohore. “I garantova personat në vuajtje të dënimit që gjatë mandatit tim do angazhohem për të respektuar të drejtat e tyre dhe i ftova të besojnë dhe të kenë vizion për botën që i pret në të ardhmen”.
“Sot ishim në vizitë në qendrën korrektuese në Dubvravë e cila është ndër qendrat më të mëdha korrektuese të Kosovës dhe mund të them se është prej qendrave më të mëdha edhe në rajon dhe mund të them që ballafaqohet me shumë sfida me shumë telashe mund të them se është ballafaquar në të kaluarën, por edhe tani me numrin e vogël të oficerëve korrektues dhe me mungesën pajisjeve të mirëmbajtjes së sigurisë për të kësaj qendre”.
“Tani mund të them se viti i ardhshëm do të ketë përmirësime të dukshme sepse Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete mos të them të mjaftueshme, por të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së sigurisë së burgut të Dubravës, por edhe në punën e Shërbimit Korrektues”.
“Aktualisht Shërbimi Korrektues i Kosovës ballafaqohet si me mungesë të mjeteve të punës, po ashtu edhe me mjete financiare dhe mjete që ndërlidhen me mirëmbajtjen me sigurinë e kësaj qendre. Po bën një punë të jashtëzakonshme, dua t’i përgëzoj për këtë. Mirëpo vitin e ardhshëm do ta rrisim numrin e oficerëve korrektues, do të shtojmë pajisje që ndërlidhen me fushën e sigurisë të kësaj qendre dhe do të rritet siguria”, tha Tahiri për EO.
Ai tha se është lajm i mirë që të burgosurit kanë trajtim të mirë nga Shërbimi Korrektues.
“Sot takova të burgosurit. Kisha kontakt direkt me ta. Jam i lumtur që kanë një trajtim të mirë, adekuat, nga shërbimi korrektues i Kosovës. Mund të them që qendrat korrektuese në Kosovë, nëse i krahasojmë me ato të rajonit, qëndrojmë larg ma mirë edhe në trajtim e të burgosureve edhe në çështjet e tjera të Shërbimit Korrektues të Kosovës, jemi shumë më mirë pra”, tha Tahiri.
Sokol Zogaj, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, tha se ministri Tahiri ka bërë punë të madhe pasi që ka shtuar buxhetin për vitin 2018 për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
“Stafi menaxhues i Qendrës Korrektuese të Dubravës e informoi ministrin për të gjitha punët dhe problemet që bëhen në këtë institucion. Ministri ka bërë një punë shumë të madhe që për vitin 2018 na ka siguruar buxhet të shtuar, sidomos për qendrën që është më e madhe, për kushtet, për pajisjet e sigurisë, për trajtimin e të burgosurve edhe ju e dini që pesë vite ne nuk kemi pasur buxhet, tani e kem buxhetin e shtuar”.
“Këtu zhvillohet një jetë miniaturë brenda këtyre mureve dhe do të jetë më mirë dhe do të zbatohet ligji edhe më mirë”, tha Zogaj.