Me 6 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim, kalon miratimi në parim i Projektkodit Penal.
Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit, e pyeti ministrin Tahiri se a është Kodi Penal kusht për liberalizimin e vizave, sepse thuhej që vetëm demarkacioni është kushti kryesor, shtoi Haxhiu, raporton Ekonomia Online.
“A është kusht kodi penal për liberalizimin e vizave”, pyeti Haxhiu.
Po ashtu edhe deputeti nga Nisma, Bilall Sherifi, pyeti se këto ndryshime a janë kusht për liberalizim të vizave apo është e mirë për Kosovën të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsionit.
Ministri Tahiri tha se ky Kod Penal lidhet me liberalizimin e vizave, raporton EO.
“Ky Projektkod Penal lidhet me liberalizimin e vizave, po nenet që lidhen me këtë kod penal janë kërkesë direkte e BE-së dhe lidhen me liberalizimin e vizave. Të gjitha ndërhyrjet që janë bërë janë kërkesë e BE-së”, ka thënë ministri Tahiri.
Ndërsa deputetja Haxhiu shtroi çështjen e formimit të një gjykate speciale apo paneli të specializuar në Kosovë, i cili merret me trajtimin e lëndëve që vijnë nga Gjykata Speciale.
Ministri Tahiri tha se është duke trajtuar këtë çështje dhe brenda këtij viti do të dalë me një qëndrim për këtë.
“Ne jemi duke trajtuar këtë çështje që Kosova të ketë një gjykatë speciale, ose një panel të specializuar, që të trajtonte lëndët që vijnë nga Gjykata Speciale. Gjatë këtij viti do të vijë me një qëndrim për këtë panel”.
Korab Sejdiu, nga LDK-ja dhe Sami Kurteshi nga LVV-ja ngritën si çështje gabimet eventuale teknike, por Kurteshi ceku disa gabime drejtshkrimore në Kodin Penal. Edhe Igor Simiç tha se duhet t’i kushtohet kujdes përkthimit të ligjeve në gjuhën serbe sepse, sipas tij, ka gabime të shumta, raporton EO.
“Jo vetëm ky ligj por edhe ligjet tjera që po vijnë nga ministria e Drejtësisë kanë të mbetura teknike, do të na lehtësonit punën që çështjet teknike të eleminoheshin në MD. Kërkoj që stafin e juaj ta angazhoni që të përpunohen ligjet pak më mirë”, ka thënë Sejdiu.
Ministri Tahiri tha se përkthimi në gjuhën serbe mbetet problem për Ministrinë e Drejtësisë pasi që ka numër të madh të ligjeve që hartohen brenda një viti.
“Përkthimi në gjuhën serbe vazhdon të mbetet problem për Ministrinë e Drejtësisë, kemi 18 ligje që do hartohen këtë vit dhe është një problem për Ministrinë e Drejtësisë”, ka thënë Tahiri.