Dialogu i Brukselit është një dialog për fqinjësi të mirë dhe lidhet me aspiratën tonë euroatlantike. Bisedimet do të përfundojnë me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve. Kontributi kryesor i dialogu është ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës. Për gjendjen e keqe të trashëguar në Veri fajësohet Administrata e UNMIK-ut, e cila lejoi ndërhyrjet e Serbisë dhe instalimin e strukturave paralele.
Pa e marrë kodin telefonik pa u pavarësuar KOSTT-it dhe pa shuarjen e plotë të strukturave të mbetura paralele, nuk do të ketë themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka pohuar Edita Tahiri.
Në takimin e dytët sotëm të Komisionit për Punë të Jashtme, të kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar, ishte ftuar Ministra ( pa portofol) e dialogut, Edita Tahiri të raportonte për ecurinë dhe dialogut Kosovë – Serbi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se dialogu i Brukselit është një dialog për fqinjësi të mirë dhe vlera e tij lidhet me aspiratën tonë euroatlantike dhe përkushtimin tonë për paqe dhe stabilitet në rajon dhe Evropë”, ka theksuar ministrja Tahiri, duke pohuar se kusht themelor për këtë është njohja e ndërsjellë mes dy shteteve. Ky qëndrim bazohet në përvojat e vendeve tjera në botë të cilat kanë pasur luftëra mes vete dhe pas luftës kanë krijuar paqe, duke njohur njëra tjetrën dhe duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra tjetrës, ka thënë ministrja.
Dialogu ka dhënë rezultate të rëndësishme, ka thënë Tahiri, duke mos u ndrojtur t’i quajtur madje edhe historike, për faktin se për herë të parë, në dialogun ndërmjet dy vendeve , arrihen marrëveshje të nënshkruara. Ndër sukseset e marrëveshjeve të arritura ajo ka përmendur kufirin e integruar, zhbërjen e strukturave paralele, si dhe zhbllokimin e sotëm të Urës së Ibrit, ditë më parë.
Ajo ka pohuar se Kosova edhe dy herë tjera ka bërë bisedime me Serbinë: “Në Rambuje jemi përpjekur që të gjejmë zgjidhje paqësore por Serbia në fund ka dështuar ta nënshkruaj marrëveshjen paqësore dhe si pasojë ka pasur intervenimi i SHBA-ve dhe NATO-së. Pastaj kemi biseduar edhe në Vjenë, të fokusuara në statusin, që rezultoi me pavarësinë e Kosovës, sepse ne e nënshkruam marrëveshjen ndërsa Serbia përsëri dështoi që ta nënshkruaj atë”, ka theksuar Tahiri, duke u shprehur e bindur se kontributi kryesor i këtij dialogu është ruajtja e tërësisë së tokës së Kosovës,të cilën e ka quajtur tokë shqiptare dhe se ai ka eliminuar pretendimet e Serbisë për ndarjen e Kosovës, synime këto prezente që nga përfundimi i luftës më 1999. Kjo është arritur sidomos përmes Marrëveshjes së IBM, për menaxhimin e integruar të kufirit,e para marrëveshje e nënshkruar mes dy shteteve, ka thënë ministrja,duke pohuar se me të është vendosur kufiri ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë dhe është bërë kthimi i autoriteteve shtetërore të Kosovës në pikëkalimet kufitare në veri të vendit, që Serbia i mbante peng që nga paslufta.
Përmes marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është mundësuar shuarja e strukturave paralele në fusha të rëndësishme.
Marrëveshje, model për rajonin, ajo e ka quajtur vendosjen e regjimit të lëvizjes së lirë përmes letërnjoftimeve, të cilën pastaj e zbatuan edhe vendet tjera në rajon. Të rëndësishme e ka vlerësuar edhe njohjen e dokumenteve të shtetësisë së Kosovës, Marrëveshja për tregti të lirë dhe Marrëveshjen për bashkëpunimet rajonale.
Ajo pastaj është ndalur tek dialogu politik me synim normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e cila adresoi çështjet e zhbërjes së strukturave paralele, integrimin e policëve në sistemin e Kosovës, shtrirjen e Policisë së Kosovës në Veri të vendit, shuarjen e një strukture paramilitare të ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile”, ish-pjesëtarët e së cilës janë integruar në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Dialogu i Brukselit ka kontribuar në forcimin e sovranitetin shtetëror në gjithë territorin e vendit tonë, shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit të cenuar nga ndërhyrjet e Serbisë si dhe integrimin e serbëve të asaj pjese në sistemin shtetëror të Kosovës”, është shprehur Tahiri. Ajo ka vlerësuar se dialogu i Brukselit e ka afruar Kosovën me Bashkimin Evropian dhe NATO-n , duke e shpënë vendin në rrugën zyrtare të integrimit në BE, përmes Marrëveshjes Stabilizim Asocim. Ajo madje e ka bërë publike se së shpejti pritet një lidhje formale e marrëdhënieve Kosovë-NATO.
Ajo ka thënë se numri më i madh i marrëveshjeve, të arritur deri më tani , zbatohen nga të dyja palët, duke shtuar se mbeten edhe shumë të tjera të rëndësishme që presin të zbatohen
Ajo ka folur edhe për shuarjen e strukturave paralele të drejtësisë, për hapjen e Gjykatës Themelore dhe Zyrës së Prokurorisë që do të funksionojnë për shtatë komuna , me shumicë serbe,ashtu siç e thotë ligji i Kosovës.
“Qeveria e Kosovës ka arritur të vendos sovranitetin dhe ligjshmërinë në shumë fusha relevante, duke vendosur funksionimi i komunave legale, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013”, ka thënë ministrja, duke shtuar se shumë shpejtë në pjesën veriore të vendit do të vendosen institucione të shumta qendrore që kanë veprimtari lokale, ( gjithsejtë 23 ministri dhe agjenci).
“Duke konsoliduar sovranitetin shtetëror në tërë vendin, shteti jonë po forcohet në planin politik dhe të sigurisë, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët”, është shprehur optimiste ministrja e dialogut, duke pohuar se atje është përmirësuar edhe gjendja e sigurisë.
Ajo ka folur edhe për masat që janë ndërmarrë për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të asaj zone, duke akorduar një fond, i cili do t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve.
Për gjendjen e keqe të trashëguar në veri ajo ka fajësuar Administratën e UNMIK-ut e cila lejoi ndërhyrjet e Serbisë dhe instalimin e strukturave paralele.
Politikat e Qeverisë së Kosovës për dialogun ajo i ka quajtur strategjike dhe vizionare, ndaj edhe të përkrahura nga aleatët tanë, SHBA-ja dhe partnerët evropianë.
Ajo ka vlerësuar se po ndryshon mendësia politike dhe gatishmëria e qytetarëve serbë për të kuptuar dhe pranuar realitetin e shtetit të Kosovës. Çdo ditë e më shumë rriten kërkesa e tyre për tu bërë pjesë e sistemit të Kosovës, ka thënë Tahiri.
Në këtë fazë të dialogut, ajo ka përmendur tri marrëveshje që mbeten të pazbatuara: Bllokimin e kodit telefonik dhe marrëveshjen për pavarësimin e KOSTT-it, për të cilat, ka pohuar se Bashkimi Evropian është duke u angazhuar për zhbllokimin e tyre.
“Qeveria e Kosovës ka bërë të qartë kushtëzimet, se pa e marrë kodin telefonik nga ITU që do të jetë 383, pa u pavarësuar KOSTT dhe pa shuarjen e plotë të strukturave të mbetura paralele ,nuk do të ketë themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe” ka pohuar ministrja.
Ajo ka siguruar anëtarët e Komisionit se asociacioni në fjalë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe se nuk do të jetë nivel i tretë i pushtetit në Republikën e Kosovës.
Ajo po ashtu, ka theksuar se të gjithë marrëveshjet e arritura janë në pajtim me ligjet e Kosovës dhe në parimin e reciprocitetit, duke e përmendur specifikisht Marrëveshjen për tabelat e automjeteve , e cila do të fillojë së zbatuari së shpejti.
Ajo ka paralajmëruar edhe fazën e tretë të dialogut, të cilën e ka quajtur përmbyllëse, gjatë së cilës do të ketë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për: reparacionet e luftës, demarkacionin e kufirit mes dy shteteve, sukcesionin përkatësisht ndarjen e pasurisë, e duke përfunduar me njohje mes dy shteteve.
Ajo e ka përmendur edhe çështjen e të pagjeturve, duke kërkuar që Serbia të paraqesë vendndodhjen e rreth 1600 personave të pagjetur.
Ekspozenë e saj znj Tahiri e ka përmbyllur me përkushtim e Kosovës për dialog, e duke e shprehur bindjen e saj se fqinjësia e mirë me të gjitha vendet e afron Kosovën me Bashkimin Evropian dhe mundëson jetësimin e vizionit tonë euro-atlantik.
Pas ekspozesë e kanë marrë fjalën anëtarë të Komisionit, por deputetë të tjerë të pranishëm në takim, të cilët kanë ngritur shqetësime por edhe i kanë shtruar pyetje ministres . Kështu derisa Elmi Reçica dhe Ismet Beqiri e kanë vlerësuar punën e ministres dhe e kanë quajtur të domosdoshëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Blerta Deliu-Kodra dhe Luljeta Veselaj Gutaj, kanë shtruar pyetje për fazën e tretë të bisedimeve me Serbinë dhe për formatin e këtyre bisedimeve, si dhe nëse është shtruar në Bruksel çështja e të zhdukurve dhe të pagjeturve.
Përfaqësuesit nga radhët e opozitës: Pal lekaj, Zafir Berisha, anëtarë, si dhe Aida Dërguti e Ismail Kurteashi deputetë joanëtarë, kanë qenë shumë kritikë për kornizat e dialogut të pakushtëzuar, duke pohuar se mbi 90 për qind të përfitimit nga dialogu e ka marrë Serbia e duke theksuar faktin e Kosova ka pranuar të përfaqësohet në nivel të pabarabartë me Serbinë, duke u shtrënguar të bisedojë për çështje të brendshme të vendit tonë.
Deputetët kanë thënë se jo vetëm që nuk po integrohen serbët në sistemin e Kosovës, por Qeveria madje nuk po arrin t’i integrojë as zv.kryeministrin dhe ministrat serbë të saj, të cilët i përgjigjen vetëm Vuçiqit dhe lobojnë në Bruksel dhe gjithandej Evropës kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër Ligjit për Trepçën. Ata madje ia kanë përmendur edhe fusnotën për Kosovën, si “fluskë bore”, të cilën, siç janë shprehur ata, nuk po e shkrinë temperatura prej 40 gradë celsius. Ia ka përmendur ndërkaq edhe kontradiktat e saj: “I kemi shuar strukturat paralele të Serbisë” , “pa i shuar… nuk do të …”
Duke iu përgjigjur pyetjeve ministrja ka thënë se faza e tretë e bisedimeve me Serbinë mund të zhvillohet në një format më të lartë, por pa e pohuar apo mohuar nëse ajo do të vazhdojë të jetë në atë funksion. Ajo ka thënë se Serbia nuk po i hap ende arkivat ushtarakë për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Ndërkaq, është shprehur se “fluska e borës” e ka shkri rrugën e Kosovës për MSA-në dhe atë të integrimeve euroatlantike.