Ambasadorët e vendeve në Kosovë, në deklaratat e tyre shumë herë përmendin problemet me të cilat përballet vendi.
Sot gjatë ditës ambasadori i britanik në Kosovë në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, u është përgjigjur disa pyetjeve, ku ndër të tjera u ka thënë qytetarëve se nëse nuk iu pëlqejnë politikanët aktual ta votojnë dikë tjetër.
Ai po ashtu në një përgjigje ka thënë se në Britani nuk do të hyjë asnjë i korruptuar.
Mirëpo nuk është vetëm ky rast, pasi që janë shpeshtuar thirrjet e ambasadorëve kohët e fundit për përmirësim të gjendjes në Kosovë si në luftimin e korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar.
Njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se qytetarët duhet të pajtohen me thirrjet e ambasadorit britanik, si dhe të tjerëve.
Mirëpo, Tahiri ka thënë se edhe ndërkombëtarët kanë faj për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova.
“Është e drejt ajo që thotë ky ambasador se persona që kanë qenë të korruptuar nuk do t’u jepet viza, pra kanë hyrë në një lloj të një liste të zezë të Britanisë së Madhe, madje edhe çështjet tjera që i cek. Ajo çka nuk pajtohem me ambasadorin britanik ndoshta edhe tek të tjerët, është që ndërkombëtarët kanë kontribuar në këtë formë të ligjeve në Kosovë, që nga UNMIK-u deri sot. Dhe, Kosova si kjo krijesë që është bërë kështu me korrupsion dhe me mos sundim të ligjit është meritë e ndërkombëtarëve”, ka thënë ai.
Tahiri ka theksuar se disa ligje i kanë sjell vetë ndërkombëtarët në Kosovë, duke përmendur sistemin zgjedhor.
“Ata e kanë bërë sistemin zgjedhor një zonë zgjedhore dhe një qytetar pesë vota. Kjo do të thotë humbet personi për të cilin ti voton sepse manipulohen votat kur të ndahen në 5 vende. Do të ishte demokratike një qytetarë një votë. Anën tjetër është sepse ne e kemi sjellë shumë von ligjin për sekuestrimin e pasurisë, dhe ata që dënohen me vendos edhe masën e ushtrimit të funksionit për vite të caktuara. Shembull ai i cili është zënë duke vjedhur ose bënë vepër penale në shtet, t’i ndalohet 5 vite, apo 10 vite të ushtroj funksione, nëse këtë e ka bërë nga pozita zyrtare. Kemi njerëz në funksion të ministrave që dënohen, lirohen, mbrohen në liri. Pra edhe ndërkombëtarët kanë kontribuar që ta kemi këtë sistem ligjor dhe me pas prokurorë ose gjyqtar të dobët ose të ndikueshëm”, është shprehur ai.
Sipas tij zgjidhja e vetme do të ishte që ndërkombëtarët ta kthejnë vendin në gjendjen para gabimeve, dhe të sjellin kuadro më të mira.
“Udhëheqja nuk ka se si ta bëjë ligjin, po i konvenon ky sistem përmes kapjes së shtetit. Nuk ka mekanizma, janë përmes kuvendit, qeverisë. Ndërkombëtarët duhet të na kthejnë në gjendjen para gabimeve. Ata mund të na i sjellin këtu kuadrot më të mira. Shembull EULEX-i nuk ka kryer ndonjë punë të mirë, supozohet që korrupsioni është bërë përmes tyre. Pse nuk po na e sjellin modelin e ligjeve këtu, dhe me na tregu se si funksion apo se cili është më i avancuari. Fundi i fundit ne do ta rregullojmë vetë, por do heqim. Sepse ndërkombëtarët për shkak të sigurisë shpesh herë veprojnë për ta mbajtur qetësinë në shtëpi, nuk e kanë gajle për demokracinë tek ne. Ata thonë vend primitiv, i pazhvilluar me administrim ndërkombëtar”, ka theksuar ai.
Ndërsa muaj më parë ambasadori amerikan Philip Kosnett ka folur për zbatimin e ligjit në Kosovë, për rolin e mediave dhe shoqërisë civile në monitorimin e punës së qeverisë, duke thënë se qytetarët kosovarë kanë mjaft mënyra për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Ndër të tjera edhe ambasadori zviceran ka kërkuar që Kosova të investojë në projekte jetike, si ujësjellës, e të mos financojë veteranët e rrejshëm. Po ashtu edhe ambasadori francez dhe ambasadori gjerman kanë reaguar duke thënë se korrupsioni dhe nepotizimi janë plagë për Kosovën./Telegrafi/