Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për raportin e Komisionit Evropian, iu drejtua deputetes Haxhiu duke i thënë se raporti ka theksuar degradimin që i keni bërë jetës parlamentare në Kosovë sidomos këto tri vitet e fundit.
“Zonja Haxhiu lëvizi nga salla por unë i them që raporti i progresit ka evidentu përpjekje të të gjithë kryeministrave për përshpejtimin e reformave, sa u përket juve ka theksuar degradimin që i keni bërë jetës parlamentare në Kosovë sidomos këto tri vitet e fundit”.
Ministri Tahiri e konsideron raportin real, ndonëse, sipas tij, në një situatë konkrete duhet të pasqyronte çdo përpjekje të qeverisë të cilat edhe sot janë duke bërë diferencë të madhe në raport me të kaluarën, raporton Ekonomia Online.
“Zotëri Hoti ka blloku vërtet në atë periudhë sa ka qenë ministër i financave, KGJK DHE KPK-në, nuk ka pasur prioritet të qartë të koordinimit në fushën e drejtësisë, dhe kjo është një mosvullnet i zyrës së kryeministrit për ato 3 vjet. Institucionet e sundimit të ligjit nuk kanë pasur përkrahje të mjaftueshme financiare rezultat i mos marrjes parasysh të kërkesave të këtyre dy këshillave nga ministri i Financave dhe kryeministrit i asaj kohe. Nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm për sistemin e drejtësisë, nuk ka pasur ndonjë alternativë për uljen e numrit të lëndëve”.
“Pavarësisht kërkesave të Gjykatës Supreme, Dhomës së Posaçme kanë 22 mijë lëndë, 20 gjyqtarë i ka kjo dhomë, dhe mund ta merrni me mend sa është efikase puna e tyre, për 4 vjet nuk janë plotësuar kërkesat e tyre dhe kjo qeveri për herë të parë ka adresu kërkesat e kësaj dhome”.
“E detyruar zonja Vjosa Osmani s’ki nevojë me u prek se nuk e ke votu atë qeveri në atë kohë, kështu që kush ka qenë kryeministër dhe ministër i Financave, po e kritikoj kryeministrin tonë që e ka blloku një sistem, Dhurata ka qenë ministre e Drejtësisë, jo agjenci ligj-zbatuese, nuk ki nevojë me u shqetësu, ki të drejtë se nuk e ke votu atë qeveri, LDK-ja e ka veç një meritë në këtë aspekt ish-kryeministri është përmend në raport si kryeministër i shkarkuar me votë mosbesimi për shkak se nuk ka arritë të sigurojë hapa të nevojshëm për perspektivën evropiane të Kosovës, sot ju kërkoni një unifikim spektër politik keni pasë një dështim dhe tani në mënyrë të pandershme të kërkoni”.
Albulena Haxhiu, nga LVV-ja, i kundërpërgjigjet ministrit Tahiri. Ajo thotë se partia e tij është përgjegjëse për degradimin e sistemit të drejtësisë.
“Ministri aktual i Drejtësisë nuk ka të drejtë të flasë për reformën në sistemin e drejtësisë, sepse partia e Abelard Tahirit është përgjegjëse për degradimin e sistemit të drejtësisë. E kemi të qartë si janë zgjedhur gjyqtarët, prokurorët, pse sistemi i drejtësisë është i kapur dihet që u ngritën aktakuza për një ministër, e jo për protagonistët e aferës Pronto për Veselin e Thaçin. Para pak ditëve, ministri ishte në një mbledhje të KPK-së dhe KGJK-së dhe prania e tij ishte e paligjshme”.
“Çfarë kërkon ministri i Drejtësisë në një mbledhje ku flitet për raste të korrupsionit, a është kjo një hyrje direkte në sistemin e Drejtësisë, mos u mundo me retorika boshe ta arsyetosh kapjen e sistemit të drejtësisë”.
Ndërkaq, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka thënë se këto rezultate të raportit i takojnë edhe ministres së kaluar të MTI-së.
“Kisha kërku prej deputetëve që ligji për shoqëritë tregtare edhe pse është miratuar pa dëshirën time për kuotën gjinore, por duhet që ky ligj të procedohet dhe të votohet se nëse deri më 15 maj procedohet Kosova ka me shënu progres në ambientet e të bërit biznes. Kosova është në fazë të hershme për përgatitjen e lëvizjes së lirë të mallrave”.