Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, e ka cilësuar lajm të mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në bazë të të cilit vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
“Kemi pasë një angazhim jashtëzakonisht të madh në shpërbërjen e këtij kuvendi jofunksional dhe në tejkalimin e kësaj krize jashtëzakonisht të madhe politike të shkaktuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. Viti 2020 karakterizohet me dështime jashtëzakonisht të mëdha. Si rezultat i një mashtrimi shumë të madh që ndodhi më 6 tetor 2019 patëm dy qeveri të cilat e degraduan jetën tonë institucionale, ekonominë, arsimin në të gjitha nivelet, derisa patëm edhe keqmenaxhim të pandemisë”.
“Më në fund erdhi një lajm shumë i mirë nga Gjykata Kushtetuese që i dha fund kësaj marrëzie të këtij viti shumë skandaloz në politikën kosovare. Besojmë se PDK-ja në zgjedhjet, që ne besojmë se do të mbahen në afatin sa më të shpejtë të mundur, do të shënojë një fitore të madhe dhe do ta qeverisë vendin për katër vitet e ardhshme”.
Tahiri, në Klan Kosova, ka thënë se PDK-ja do ta bëjë publik emrin e kandidatit për kryeministër ditëve në vijim.
“Për ne ky diskutim nuk ka filluar sot. Ky diskutim ka filluar shumë më herët. Kemi punuar që vendi të shkojë në zgjedhje dhe ta ndalim këtë degradim. Ne jemi në finalizim të krejt këtij angazhimi dhe besoj që në ditët në vazhdim do të dalim me kandidatin tonë për kryeministër dhe listën tonë zgjedhore. PDK-ja është parti që këtë periudhë ka qenë në opozitë, pra nuk ka qenë as në qeverinë e parë dhe as në të dytën. PDK-ja është partneri më i besueshëm dhe më i sigurtë i qytetarëve të Kosovës dhe jemi të bindur që në këto zgjedhje do të shënojmë fitore të jashtëzakonshme dhe do ta qeverisim vendin”.
Pavarësisht që PDK-ja është me kryetar në detyrë derisa ish-kryetari Kadri Veseli po përballet me Gjykatën Speciale, Tahiri ka thënë se PDK-ja është “partia më e përgatitur dhe me projektin më serioz që do të dalë përballë qytetarëve”.
Por, a e synon Partia Demokratike e Kosovës postin e presidentit?
“Për PDK-në është e rëndësishme dhe garon për postin e kryeministrit. Për ne është e rëndësishme që ta qeverisim vendin me një kryeministër nga PDK-ja. Ne jemi të fokusuar që PDK-ja të udhëheqë me vendin. Padyshim se edhe pozita e presidentit është pozitë e rëndësishme, por për ne konsiderojmë se është shumë më e rëndësishme që kryeministri i ardhshëm i Kosovës të vijë nga PDK-ja”.