Tahiri i PDK-së: Katër ditë rezistencë prej letre të Kurtit, urime themelimi i “Zajednicës”

Prishtinë | 06 Shk 2023 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka komentuar deklaratën e dhënë nga kryeministri Albin Kurti pas takimit që ky i fundit kishte pasur me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Deputeti i PDK-së në një postim në Facebook tha se Albin Kurti “e pranoi planin franko-gjerman, pa pasur guxim të thotë se cili është në të vërtetë ai plan, çfarë përmban”.

“E pranoi planin franko-gjerman. Pa pasur guxim të thotë se cili është në të vërtetë ai plan, çfarë përmban, sa pika, sa prej tyre pika kompromisi e sa në favor të Kosovës dhe në përputhje me kushtetutën”.

Tahiri ka ironizuar edhe me kushtet e Kurtit që i kishte përmendur para katër ditësh në seancën e Kuvendit të Kosovës në lidhje me formimin e Asociacionit.

“Pra, katër ditë rezistencë prej letre dhe kushtet e Kurtit, me gjasë do mbahen mend për avullim në kohë rekord. Kosovë, urime themelimi i Zajednicës, dhuratë nga Kryeministri, shkëlqesia e tij z. Albin Kurti”, ka shkruar tutje Tahiri.

Kurti në një postim në Twitter ka shkruar se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të hënën se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, prej nga shkoi në Beograd në kuadër të përpjekjeve për të rifilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja palëve.

Të ngjashme