Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka kërkuar nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, për të dhënë llogari për vendimet që janë arritur për hetimin e rastit të vdekjes së aktivistit Astrit Dehari.
Kurteshi duke iu referuar takimit të Kryeministrit Haradinaj me prindërit e të ndjerit Astrit Dehari, tha se nuk është zbatuar kërkesa e plotë e familjes Dehari për hetim, raporton Ekonomia Online.
”Familja kërkon një hetim të plotë të pavarur nga një institut me renome botërore deri në zhvarrosjen e trupit të të ndjerit”, tha Kurteshi.
Ndërsa pas fjalëve të Deputetit Kurteshi, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka konfirmuar se tashmë janë ndarë mjetet për hetimin e rastit në mënyrën siç dhe kanë kërkuar prindërit e aktivistit të Vetëvendosjes.
”Kemi ndarë mjetet dhe zyrtarisht nga Prokurori i shtetit e prokurori i rastit, se kanë filluar kontaktet me institute në Zvicër e edhe me familjarët”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka theksuar se për të zbardhur rastin nëse është e nevojshme do të ndahen mjete shtesë, raporton EO.
”Nëse është e nevojshme do të ndajmë edhe mjete të tjera shtesë për të përfunduar rastin”, ka shtuar ministri.
”Kam qenë prezent kur familja Dehari është takuar me Kryeministrin Haradinaj, e komform kërkesës së Tom Gashit, ne pa dashje nuk kemi ndërhyrë në punën e prokurorisë. Kemi kërkuar mirëkuptimin dhe vullnetin e tyre që komform legjislaturës së kaluar ky rast të marr fund”, ka thënë ai.