Ministri në i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore, në dy vjetorin e vdekjes së veprimtarit të Çështjes Kombëtare, Jonuz Musliu. Me këtë rast, ministri Tahiri tha se veprimtari Musliu ishte një idealist i pashuar, që ishte angazhuar me gjithë qenien, me të vetmin qëllim avancimin dhe përmirësimin e të drejtave politike, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve.
“Për shkak të këtij përkushtimi heroik, Jonuz Musliu, nuk mund të kalonte pa u vënë në shënjestër të regjimit të Millosheviqit, në shënjestër të cenimit, burgimit e pengesave të një pas njëshme, përballë të cilave nuk u dorëzua asnjëherë”, tha Tahiri.
Ministri Tahiri, gjatë kësaj akademie tha se veprimtari Musliu, ishte i angazhuar kundër regjimit diktatorial të Millosheviqit, në aktivitete politike kudo dhe në secilën rrethanë kur shfaqej një shpresë për liri e barazi.
“ Që në Referendumin e Marsit të vitit 1992, për të vazhduar pareshtur deri tek radhët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku kulmoi si një ndër përfaqësuesit më të spikatur të saj. Ai padyshim se ishte një prej njerëzve të dalluar të kauzës tonë kombëtare që e sfidoi regjimin e Millosheviqit deri në shembje”, u shpreh Tahiri.
Para të pranishmëve, ministri Tahiri tha se Kosova dhe Lugina kanë qenë i njëjti burim indentitar dhe këtë unitet sipas tij e kanë ruajtur e kultivuar veprimtarët si Jonuz Musliu.
“ Kosova dhe Lugina, historikisht kanë qenë e janë edhe sot e kësaj dite, pjesë të të njëjtit burim identitar. Janë pjesë e të njëjtit ideal. Të të njëjtës sferë politike e kulturore. Dhe këtë unitet, e kanë ruajtur e kultivuar pikërisht njerëzit si Jonuzi”, theksoi Tahiri.
Sipas ministrit Tahiri, veprimtari Musliu me moralin, guximin, mendjen dhe vetëflijimin e pashoq, u shndërrua në një nga pishtarët e çmuar, që digjeshin për t’ua rrëfyer bashkëkombëseve të tyre, rrugën e drejtë, të dinjitetit, mëkëmbjes dhe shpëtimit.
“ Jeta e Jonuz Musliut në tërë ciklin e saj, ngjashëm si edhe bashkëveprimtarëve të tij, ngjason, është e njëjtë dhe e pandashme me kronikën historike të përpjekjeve të kombit tonë për emancipim, liri, e të drejta të barabarta për çdo pjesëtar të popullit shqiptar. Ai, ngjashëm si edhe shokët e tij të idealit, janë ikonat më të ndritura në galerinë tonë kombëtare dhe në historinë tonë më të re”, deklaroi Tahiri.
Krejt në fund, ministri Tahiri tha se Jonuz Musliu, me veprimtarinë e tij aktive politike dhe përpjekjen konstante, do të mbetet një shembull i përhershëm në kujtesën tonë kolektive dhe inspirim për gjeneratat e reja.
“ Jeta e tij paraqet asgjë më pak sesa një model se çka do të thotë të jetosh në shërbim të kombit”, deklaroi Tahiri.