Tahiri kërkon kompensim të menjëhershëm për fermerët e prekur nga breshëri në Kovragë të Istogut

Prishtinë | 22 Kor 2026 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka vizituar fshatin Kovragë të Istogut, ku breshëri ka shkaktuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore, duke i bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë që të reagojnë menjëherë me kompensim për fermerët e prekur.

Tahiri bëri të ditur se në vizitë ishte së bashku me Astritin dhe Arbenin, ndërsa tha se dëmet e shkaktuara janë të rënda për familjet që jetojnë nga bujqësia.

“Sot, së bashku me Astritin dhe Arbenin, ishim në Kovragë të Istogut për të parë nga afër dëmet e mëdha që breshëri u ka shkaktuar kulturave bujqësore. Ajo që pamë në terren është e dhimbshme. Brenda pak minutash, u shkatërrua puna, mundi dhe investimi i një viti të tërë i shumë familjeve që jetojnë nga bujqësia. Për fermerët tanë kjo është goditje e drejtpërdrejtë për mirëqenien dhe të ardhmen e tyre”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka theksuar se institucionet nuk duhet të mbeten pasive përballë dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, duke kërkuar veprim të shpejtë dhe transparent.

“Në këto raste, shteti nuk duhet të jetë spektator. U bëj thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë që të reagojnë menjëherë, në mënyrë profesionale dhe transparente dhe të sigurojnë kompensim të drejtë e të shpejtë për çdo fermer të prekur”, theksoi ai.

Sipas Tahirit, bujqësia mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, ndërsa fermerët kanë nevojë për mbështetje konkrete në kohën kur përballen me humbje të mëdha.

“Bujqësia është shtyllë e ekonomisë sonë dhe fermerët meritojnë më shumë se fjalë. Ata kanë nevojë për veprime konkrete, për mbështetje në kohën kur e kanë më së shumti të nevojshme.”

Deputeti i zgjedhur i PDK-së premtoi se do të vazhdojë të mbështesë fermerët dhe të kërkojë reagim institucional.

“Do të vazhdojmë të jemi pranë tyre, ta ngrisim zërin në çdo institucion dhe të kërkojmë që asnjë familje të mos mbetet e vetme përballë kësaj fatkeqësie. Fermerët e Kosovës kërkojnë drejtësi, përkrahje dhe një shtet që qëndron pranë tyre kur natyra ua shkatërron mundin e jetës.”

Të ngjashme