Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, priti sot në takim delegacionin nga Këshilli i Evropës i kryesuar nga Komisionari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Nils Muiznieks. Në takim u bisedua për bashkëpunim mes Kosovës dhe Këshillit të Evropës me theks për forcimin e proceseve demokratike, të drejtave të njeriut dhe drejtësisë tranzicionale.
Ministrja Tahiri shprehu vlerësimin për bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Komisionerin për të Drejtat e Njeriut, ndërsa theksoi se Kosova ka përmbushur kriteret për anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës i cili proces do të duhej të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ministrja Tahiri foli edhe për misionin e Qeverisë së Kosovë me theks në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të komuniteteve si dhe për qeverisjen demokratike duke theksuar se Kosova është shembull në rajon për aspektet e mundësive të barabarta për të gjithë dhe rëndësi të madhe i kushton integrimit të komuniteteve. Gjithashtu, ministrja Tahiri shtoi se institucionet e vendit janë duke bërë një punë të zellshme për drejtësinë tranzicionale, ku theksoi domosdonë e zbardhjes së plotë të çështjes së të pagjeturve si dhe drejtësinë ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë për të cilën tha se kjo drejtësi po vonohet dhe se OKB nuk ka shprehur ende gatishmërinë që ta pranoj peticionin e qytetarëve të Kosovës në kërkim të drejtësisë për viktimat e kësaj tragjedie të luftës, si dhe shumë çështje të tjera që ndërlidhen me luftën e fundit.
Ministrja Tahiri theksoi se ajo ka iniciuar peticionin për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe se pret që OKB të veproj duke zbatuar rezolutat e saj, të cilat nuk duhet të mbeten vetëm në fjalë e kampanja.
Komisionari Muiznieks shtoi se Këshilli i Evropës është i gatshëm të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e fushave në aspektin ekonomik, arsimor, të drejtësisë tranzicionale duke thënë se Kosova ka shënuar progres në zhvillimin e vendit.